Meta pas dhënies së autorizimit: Proces solid dhe kushtetues

schedule14:21 - 20 Mars, 2018

schedule 14:21 - 20 Mars, 2018

Vija e kuqe nuk u kalua dhe kjo për Presidentin e Republikës do të thotë se fryma e bashkëpunimit me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme është në rrugën e duhur për nisjen e negociatave me Greqinë.

Ilir Meta: “Unë besoj se është bërë një punë shumë e konsiderueshme dhe jemi në një proces tashmë do të thosha mjaft solid nga pikëpamja kushtetuese por edhe nga ana tekniko ligjore”.

Deklaratën, kreu i shtetit Ilir Meta, e bëri një ditë pasi autorizoi Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”. Shtimi i një tjetër negociatori është pozitiv për kreun Presidentin Meta.

Ilir Meta: “Ka qenë një propozim mjaft pozitiv dhe i mirëkuptuar edhe nga ana ime për arsye se është njjë personalitet në fushën e së drejtës ndërkombëtare, por edhe mjaft eiksperiencë për raste të tilla”.

Ksenofon Krisafi është propozuar nga ministria e Jashtme. Profesori ka qenë ish-drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Juridike e Konsullore.

Nga Brukseli, ministri Ditmir Bushati shprehet se tashmë nuk do të vonojë raundi parë i grupit të negociatorëve.

Ditmir Bushati: “Natyrisht që pa humbur kohë, ne do të procedojmë me plotfuqishmërinë dhe shpresojmë shumë që për pak ditë apo javë, ne të bëjmë raundin e parë të diskutimeve teknike me palën greke”.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme u shpreh se do të bëjnë gjithçka që marrëveshja të përfundojë drejtë për të dyja vendet. Për kohën e mbylljes së negociatave është ende herët të flitet, tha kreu i diplomacisë shqiptare./abcnews.al