Presidenti turk, Erdogan, premtoi se do të dëbojë kurdët nga veriu i Sirisë dhe i Irakut. Ai ftoi edhe Bagdadin në këtë betejë. Por theksoi se ushtria turke mund të ndërhyjë edhe vetëm.
Pas marrjes nën kontroll të qytetit të Afrin, Turqia është gati të veprojë ushtarakisht për të dëbuar kurdët nga pjesa e mbetur në veri të Sirisë dhe Irak. Deklarata u bë nga presidenti turk, Erdogan, një ditë pas hyrjes së trupave ushtarake të Ankarasë dhe të militantëve vendor aleatë, në zonën kurde.
Tashmë, ushtarët turq pas Afrin, janë përqendruar në Kobanë, qytetin symbol të fitores kurde ndaj ISIS. Erdogan kujtoi se dy muaj pas fillimit të operacionit ushtarak “Dega e ullirit”, militantët kurdë të neutralizuar janë 3.622. Me këtë term, ai nënkupton të vrarët, të plagosurit apo ata që janë burgosur.
Presidenti turk shtoi se i kishte bërë ftesë Bagdadit për të zgjidhur problemin e kurdëve dhe nëse kjo ftesë nuk pranohet atëherë do të jetë ushtria turke që do të ndërhyjë në veri të Irakut. Erdogan përdori të njëjtën fjali si ajo para ndërhyrjes ushtarake në Siri: një natë mund të hyjmë në Sinjar papritur.
Përfaqësuesja e lartë Bashkimit Europian, Federika Mogerini, u shpreh e shqetësuar për situatën aktuale në Afrin të Sirisë. Në prag të takimit të Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së, ajo u bëri apel për koherencë, Turqisë, Rusisë dhe Iranit që janë dhe tre garantuesit e procesit të Astanës./abcnews.al