PROFIL/ Nga hetimet për trafiqe tek SMS-ja e Habilajve: Kush është Jaeld Çela, sot iu dorëzua drejtësisë

schedule21:30 - 16 Maj, 2020

schedule 21:30 - 16 Maj, 2020

Jaeld Çela, ish-drejtori i Policisë së Vlorës gjatë periudhës kur ministër ishte Saimir Tahiri, u dorëzua sot në Drejtorinë e Policisë i shoqëruar nga avokati i tij, i cili më vonë në një deklaratë për mediat hodhi poshtë akuzat duke shpjeguar se përse klienti i tij kishte ndejtur në arrati për 3 vite.

Çela ishte në kërkim nga policia që prej nëntorit të vitit 2017, kur u hap çështja ndaj tij, ish-ministrit Tahiri, Sokol Bodes dhe Gjergji Kohillës.

Lexo edhe: Artan Hoxha flet për SMS-në në celularin e Jaeld Çelës: Mbeti pa përgjigje

Kush është Jaeld Çela

Ish efektivi i lartë i policisë u hetua nga prokuroria për trafik droge dhe favorizim të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj, gjatë viteve 2015-2016, kur ai drejtonte Policinë Vlorë, së bashku me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Gjykata për Krimet e Rënda e deklaroi atë të pafajshëm për këto akuza, por e shpalli fajtor për shpërdorim detyre. Për këtë ai u dënua me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar dënimi përfundimtar i shkoi në 3 vite e 4 muaj.

Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e tre drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit: Jaerd Çelës, ish-drejtori i policisë së Vlorës; Gjergji Kohilës, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë; dhe Sokol Bodes ish-kreu i policisë kufitare të Dhërmiut.

Operacioni u dekonspirua, ndërsa 3 drejtuesit e policisë arritën të shpëtonin.

I ftuar në studion e Abc News, gazetari Artan Hoxha tha se nuk dihet se ku ka qëndruar për rreth 3 vjet ish-kreu i policisë së Vlorës duke theksuar se ai kishte gjetur një ditë të qetë për t’u dorëzuar siç ishte e shtuna e sotme.

Hetimet
Nga hetimet ka rezultuar se ish-drejtori i Policisë ka mbajtur në përdorim 3 numra telefoni, në të cilat rezulton se ka komunikuar me Florian Habilajn dhe Gentian Cekën, shoferin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ashtu si ish-ministri Tahiri, edhe Çela u akuza për veprat penale “trafikim i narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Asnjë nga këto akuza të Prokurorisë nuk u pranua nga Gjykata, e cila e shpalli fajtor vetëm për “shpërdorim detyre”.

Në dosjen e prokurorisë si akuzë ndaj tij gjendet edhe përgjimi i një SMS-jë të ardhur në numrin e Çelës nga grupi i Habilajve. Artan Hoxha tha se bëhet fjalë për një mesazh urimi, të cilit Çela nuk i është përgjigjur.

Dënimi

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi Çelën me 3.4 vite burg duke rrëzuar akuzën kryesore, atë të “grupit të organizuar” kriminal, e cila mund të bënte që të qëndronte deri në 20 vite pas hekurave.

Po kaq u dënua edhe Tahiri, por ndryshe nga ish-vartësi i tij, ai nuk u dënua me burg por me “shërbim prove”.

Çela u dorëzua në një kohë kur Apeli i Gjykatës Speciale duhet të japë vendimin final për të, pasi apeloi vendimin për 3.4 vite burg. Mbetet për t’u parë nëse veprimi i tij i sotëm do të ndikojë në lehtësimin e gjendjes për të. /abcnews.al