Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar detaje në lidhje me dorëzimin e Jaeld Çelës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës duke theksuar se ndaj tij kanë rënduar akuza të rënda, siç është “grupi i strukturuar kriminal”.
Hoxha tha ndër të tjera se prokuroria ka interceptuar një mesazh urimi që i ka shkuar Çelës në celular nga grupi i Habilajve. Sipas Hoxhës, Çela nuk i është përgjigjur këtij mesazhi.
“Ka qenë një mesazh që ka shkuar në celularin e tij, por ky mesazh ka qenë pa përgjigje. Nuk e di nëse ka qenë për Vitin e Ri apo për Krishtlindje”, u shpreh Hoxha duke shtuar se ish-kreu i Policisë së Vlorë zgjodhi një ditë të shtune, të qetë dhe pa shumë lëvizje për t’u dorëzua.
“Duket se e ka studiuar shumë mirë këtë veprim”, u shpreh gazetari.
Gjithashtu, gazetari theksoi se Jaeld Çela u dorëzua me vullnet të plotë sot duke shkuar me këmbët e tij në polici.
“Ka ardhur me një automjet aty me vullnet të lirë pa njoftuar njeri. Nëse do e hasnin në rrugë do e arrestonin dhe do kishte marrë edhe shpërblim. Ai e ka bërë qëllimisht dëorëzimin sepse duke qenë edhe faktor i kërkuar mund ta arrestonin edhe pse nuk po fshihej. Vetëdorëzimet duken edhe qesharake sepse një person i kërkuar vjen të dorëzohet në derë”, u shpreh gazetari duke theksuar se pretendimet e prokurorisë ndaj tij ishin të rënda, por gjykata e dënoi me vetëm 3.4 vite burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. /abcnews.al