“Jemi më të mirët” (nga fundi)/ Universiteti i Tiranës, 10 vende larg fundit të renditjes

schedule15:07 - 2 Tetor, 2023

schedule 15:07 - 2 Tetor, 2023

Rreth 121 mijë studentë nisën shkollën e lartë  dhe rreth  20 mijë prej tyre u ulën për herë të parë në auditore. Viti i ri Akademik nisi me degë që nuk zgjojnë interes e rrezikojnë të mbyllen, por nuk ëshëe ky lajmi më i keq për universitetet shqiptare në këtë vit të ri akademik.

Universiteti i Tiranës, institucioni më i madh i arsimit të lartë u listua vetëm dhjetë vende larg fundit të tabelës së universiteteve në Europë. Vlerësimi ishte ndërkombëtar por as kjo nuk mjaftoi që drejtuesi i universitetit më të vjetër në vend, të reflektojë.

Rektori Artan Hoxha nuk e pranon vlerësimin ndërkombëtar dhe thotë se të dhënat  e tij janë ende në përpunim.

Nuk është  Universiteti i Tiranës ai që na turperon. Ka rankime të tjera që na nxjerrin më mirë.

Rektori i Universitetit të Tiranës, i cili për shumë vjet ka qenë drejtues edhe i fakultetit të Drejtësisë, thotë se rankimi i ulët vjen dhe për një arsye teknike. Në këtë rankim sipas autoriteteve për herë të parë janë futur edhe universitete nga Europa Perëndimore.

Por nderkohë i njëjti vlerësim ndërkombetar ngre lart një tjetër universitet të vjetër shqiptar, jashtë Shqipërisë. Universiteti i Prishtinës renditet shumë më mirë se shkollat e larta në Shqipëri.

Por rektori i Universitetit të Tiranës, thotë se institucioni që ai drejton, është më i miri në vend, dhe sipas tij, kjo mjafton

Si ministrja e Arsimit ashtu dhe Rektori i Universitetit të Tiranës pranojnë se institucionet e arsimit të lartë janë përballë shumë sfidash dhe po punojnë për t’i zgjidhur. Por ndërkohë shumë degë, e deri fakultete, në Tiranë e rrethe rrezikojnë mbylljen, për shkak të numrit në ulje të studenteve të rinj.

Vlerësimi i ulët ndërkombëtar, është shenja më e dukshme e krizës së sistemit arsimor të lartë në vend. Nga kjo notë negative nuk kanë shpëtuar as universitetet private. Asnjë prej institucioneve jo publike arsimore të larta të përfshira në këtë rankim, nuk ka dalë mbi universitetin e Tiranës.

Sipas sondazheve, shkollimi i dobët, është edhe një nga arsyet, përse të rinjtë zgjedhin të braktisin vendin.