Italia ende nuk po jep “OK”-in për futbollin. Ministri Vincenzo Spadafora edhe një herë tjetër ka ngulmuar se do të luhet vetëm kur të jenë kushtet e duhura. Kundërshtitë janë të mëdha dhe një prej kritikuesve më të mëdhenj ka qenë edhe Igli Tare, drejtori sportiv i Lazio, i cili ka folur sërish. Këtë herë për gazetën “La Repubblica”.
Ngërçi është protokolli sanitar dhe këmbëngulja e autoriteteve, që kërkojnë futjen në karantinë të të gjithë lojtarëve, në rast se një del pozitiv. Gjermania ka vendosur ndryshe: vetëm i prekuri izolohet, kurse pjesa tjetër vijon normalisht stërvitjen. Edhe Tare do që diçka e tillë të praktikohet edhe për klubet italiane të futbollit.
Gjatë intervistës ai ka folur për titullin kampion dhe për rikthimin e futbollit, që është çështja më e rëndësishme. “Jemi aty, do përpiqemi ta fitojmë titullin kampion, tani nëse rinis, ose sezonin tjetër. Kushdo që thotë se duam ta vazhdojmë futbollin vetëm për interes personal, atëherë nuk ka kuptuar asgjë deri më tani.
Futbolli u jep mundësinë për të siguruar jetesën 370 mijë njerëzve. Nëse ndalet, atëherë do të ishte një dështim i madh. Do të ishte një fatkeqësi sociale. Të ndalosh tani do të thotë të mos rifillosh edhe në muajin shtator.
Shumë muaj pasivitet mund të shkaktojnë halucinacione. Ata na kanë zili dhe mendojnë se futbolli është vetëm Serie A, por përkundrazi, janë me mijëra njerëz dhe familje që punojnë në këtë industri. E kemi për detyrë t’i mbrojmë ata”, shprehet Tare.
Vlonjati nuk ndalet me kaq dhe paralajmëron qeverinë italiane: “Nuk mund ta mendoj se Ministri Spadafora është aq i papërgjegjshëm sa ta bëjë diçka të tillë me qëllim, por dukshëm shikohet që ka qeveri që duan ta ndihmojnë futbollin. Kjo ndodh në Gjermani, Spanjë dhe Angli. Në Itali nuk ndodh kështu, as në Francë ku e kanë bllokuar futbollin përfundimisht.
Mendoj se qeveria franceze do të humbë shumë gjyqe në verë. Le ta shmangim një verë plot me gjyqe. Komplikimet e vazhdueshme janë qesharake. Pasojat do të jenë të mëdha, në aspektin ekonomik, social, sportiv dhe psikik. Futbolli mund të jetë shenja që jeta me të vërtetë po rifillon përsëri”. /abcnews.al