Gara për Marash Kumbullën vazhdon të jetë e fortë. Igli Tare nuk dorëzohet, vazhdon të punojë për të transferuar patriotin e tij te Lazio dhe për t’i dhuruar Inzaghit një mbrojtës fantastik. Corriere dello Sport thekson se katër klube po rivalizojnë fort për qendërmbrojtësin shqiptar: Inter, Lazio, Chelsea dhe Borussia Dortmund, teksa zbulon refuzimin e kalimit te Juventusi dy vite më parë.
Babai i Djaloshit nga Malësia e Madhe, refuzoi një ofertë të Fabio Paraticit, drejtori sportiv të bardhezinjve, dhe preferoi që Marashi të vijonte të rritej te Hellas Verona. Interi është një hap përpara tre klubeve të tjera, por drejtori sportiv i Lazios nuk dorëzohet. Hellas Verona, klubi që zotëron kartonin e 20-vjeçarit, nuk dëshiron përfshirjen e lojtarëve të tjerë në këtë operacion, ata duan vetëm para të thata.
25 milion euro është çmimi i Kumbullës, që mund të rritet në varësi të ofertave. Jashtë gare ka përfunduar Napoli. Nënkampionët kishin arritur një akord me klubin veronez, por lojtari bllokoi gjithçka dhe refuzoi tranferimin te skuadra e Gattusos. /abcnews.al