Nuk ka përplasje të fortësh në Ligën e Europës

schedule15:41 - 16 Mars, 2018

schedule 15:41 - 16 Mars, 2018

Shqiptarët Tomas Strakosha e Igli Tare patën një short të pranueshëm në Ligën e Europës. Skuadra e tyre, Lacio, do të ndeshet në çerekfinale me Salsburgun e Austrisë, ndërsa synon fitoren e trofeut.

Shpresa është që të kthehen kohët e arta.
Lacio ka qenë edhe triumfuese në futbollin europian, me fitoren e Kupës së Kupave në 1999, skuadra e sotme po bën gjithçka që të jetë edhe një herë ashtu.

Duke nisur nga portieri titullar, numri 2 i kombëtares së Shqipërisë, Tomas Strakosha, e duke përfunduar me drejtorin sportiv, shqiptarin tjetër Igli Tare, të gjithë janë gati për sfidën e radhës.
Lacio do të ndeshet me Salcburgun e Austrisë në çerekfinalen e Ligës së Europës, një kompeticion i vështirë, por që synohet të fitohet.
Skuadra e trajnerit Simone Inzagi dha një provë force në Kiev ndaj Dinamos duke treguar se nuk dorëzohet kurrë dhe se do të luftojë deri në fund.

Edhe pse cilësohet si pretendente numër 3, pas Atletikos dhe Arsenalit, Lacio beson se mund t’ia dalë ndaj kujtdo.
Favoritja për Ligën e Europës sidoqoftë është në Spanjë.

Atletiko e Madridit kaloi me sukses udhëtimin e gjatë dhe duelin ndaj Lokomotivës në Moskë, duke treguar forcën e saj, me fitoren 5-1 pas asaj 3-0 në fushën e vet.

Ndaj Sportingut të Lisbonës do të jetë një derbi I Gadishullit Iberik, veçse spanjollët pa dyshim parashikohen si të avantazhuar ndaj portugezëve.

Arsenali i Londrës vlerësohet si pretendenti numër 2 në Europa League.

Anglezët kanë pretendime të mëdha pas kapërcimit të pengesës Milan, ndonëse për rivalin e radhës nuk do të duhet një shëtitje.
CSKA e Moskës kaloi çdo parashikim duke u kualifikuar pas humbjes që pësoi në ndeshjen e parë në Rusi ndaj Lionit.
Në Francë, ia doli 3-2 dhe një ekip i tillë nuk mund të mundet asnjëherë lehtë.

Për më tepër, CSKA-ja e di se çfarë është një trofe kontinental, pasi në vitin 2005 fitoi Kupën UEFA, paraardhësen e këtij kompeticioni, duke mundur në finale Sportingun e Lisbonës.

Në çerekfinale do të jetë edhe një duel franko-gjerman.

Lajpcigu u vu përballë Marsejës, dy ekipe me histori krejt të ndryshme, por me të tashme ambicioze.
Ish-gjermanolindorët kaluan Zenitin e Shën Petersburgut dhe kanë një finale në Kupën e Kupave të arritur në 1987, ndërsa marsejezët kanë emër më të madh.

Olimpiku u shpall kampion i Europës në 1993 në finalen e Mynihut ndaj Milanit, i vetmi ekip I Francës që ia ka dalë.
Suksesi në raundin e kaluar në fushën e Bilbaos tregoi se Marseja është padyshim një pretendent.

Ndeshjet e para çerekfinale luhen në 5 Prill dhe ato të kthimit në 12 Prill./abcnews.al