Shtëpia e Bardhë përgënjeshtroi raportimet e mediave amerikane që presidenti Donald Trump do të shkarkojë këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Gjeneralin MekMaster. Uashington Post, që e bazon lajmin në 5 burime të ndryshme, shkruan se largimi i gjeneralit është shtyrë për të evituar poshtërimin e tij.
Një tjetër lëkundje brenda administratës amerikan, fillimisht e njoftuar e më pas është përgënjeshtruar. Presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte vendosur të shkarkonte këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Gjeneralin H.R McMaster dhe po mendonte për pasuesit e tij të mundshëm. Kështu të paktën shkruante gazeta e njohur amerikane “Uashington Post”, që citon 5 burime në dijeni të planit të Trump.
Prej javësh në fakt, dolën zëra që McMaster ishte në shënjestër, por zëvendësimi i tij duket se pësoi një përshpejtim pas shkarkimit, disa ditë më parë të sekretarit të shtetit, Rex Tillerson. Sipas asaj që shkruan e përditshmja amerikane, nëse presidenti nuk e ka larguar është vetëm sepse dëshiron që të shmangë që gjenerali me tre yje të poshtërohet dhe që në vend të tij të vijë një zëvendësues i fuqishëm.
Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka përgënjeshtruar raportimet e shtypit për një shkarkim të mundshëm të Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, H.R McMaster.
“Kam folur me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe me gjeneralin, dhe në kundërshtim me atë çfarë është raportuar, ata kanë një mardhënie të mirë me njëri-tjetrin”. Nuk do të ketë ndryshime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, ka shkruar në një mesazh në tuitër Sarah Sanders.
Ndërkaq, vetë presidenti Donald Trump në një mesazh në Twitter pohoi pas dorëheqjes së Këshilltarit për Ekonominë në Shtëpinë e Bardhë, bëri të ditur se dëshiron të bëjë disa ndryshime në administratë. Nuk dihet nëse me atë mesazh i referohej vetëm shkarkimit të Tillerson, apo një reformimi rrënjësor të ekipit të tij./abcnews.al