Mziu: Maskaradë, stadiumi simboli i Kamzës. Pse s’i pyesin qytetarët?

schedule17:43 - 7 Maj, 2020

schedule 17:43 - 7 Maj, 2020

Stadiumi i Kamzës do të shembet dhe ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha. Bashkia e qytetit të Kamzës ka vendosur të ndërtojë një parking nëntokësor dhe, mbi të, një qendër rekreative për banorët e zones në vend të stadiumit 84-vjeçar.

Xhelal Mziu ka mbajtur për shumë vite postin e qytetarit të parë të Kamzës dhe ka reaguar ashpër në rrjetet sociale kundër këtij vendimi që dëmton rëndë futbollin e atij komunitetit.

“Babëzia dhe makutëria e rilindjes nuk ka të sosur as në këtë kohë pandemie (ose lufte sipas KM)! Rilindja pasi rrëmbeu pa garë, pa zgjedhje, madje me 6% të votive, Bashkinë Kamëz, në këtë kohë pandemie si Qeveria dhe Bashkia janë hedhur në garë për prishje objektesh publike, tendera sekret, PPP dhe koncesione të ndryshme, ndonëse qytetarët po vdesin për bukën e gojës.

Ashtu si dhe SHEFI edhe kolegët e tij, e njëjta babëzi dhe makutëri ka mbërthyer dhe kryetarin e emëruar 6% të Bashkisë Kamëz! Si rilindas, si biznesmen matrapaz, si person i ardhur pa vote, me papërgjegjshmëri e mos llogaridhënie, ai është hedhur në sulm për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike.

Projekti i tij i fundit famëkeq ka si synim prishjen dhe tjetërsimin e stadiumin e qytetit të Kamzës, një nga simbolet e këtij qyteti. Ka rreth dy javë që punojnë ilegalisht për të bërë prishjen e stadiumit dhe ndërtimin e një “parkimi publik”, pallate, lokale, restorante dhe ndonjë lodër apo gjelbërim.

Pak informacion për stadiumin: Është ndërtuar në 10 shtator 1936 nga Toptanët, pra një stadium dhe një skuadër futbolli 84 vjeçare. Është në qendër të qytetit, është riinvestuar në 2002, 2011, 2013 dhe 2016 nga FSHF pjesërisht dhe Bashkia e Kamzës në rreth 70% të vlerës së saj. Ka 5500 vende me stola ndenje dhe është i çertifikuar nga UEFA. Skuadra e Kamzës në 10 vitet e fundit ka qenë konkurruese në futbollin shqiptar dhe në Superligë.

Stadiumi ka një sipërfaqe prej rreth 20 mijë metra katror. Vetëm vlera e tokës, e vlerësuar sipas ekspertëve, e kalon shumën e 5 milionë eurove, pa llogaritur vlerën e investimit që e shumëfishon këtë vlerë.

Megjithë kërkesat e shumta për informacione dhe transparencë, çdo gjë po bëhet në fshehtësi, duke filluar nga dosjet për në hipotekë, e deri me vendime këshilli ilegal, si dhe pa miratim në buxhet apo konsultë me publikun, grupet e interesit të qytetarëve, sportdashësve, etj.

Thuhet se brenda një jave do të bëhet prishja e tij, kuptohet duke shfrytëzuar kohën e pandemisë ose luftës ku qytetarët janë të ngujuar e pa bukë në shtëpitë e tyre. Në ditët në vazhdim do t’ju japim informacione të tjera kofidenciale, korrupsioni e nepotizmi politik e korruptiv të kësaj mega afere.

Kërkojmë urgjentisht heqjen dorë nga kjo maskaradë korruptive dhe ndalimin e këtij projekti vjedhje e grabitje. Të vihen menjëherë në dispozicion të publikut dokumentet ligjorë.

Të merret në konsideratë vlerësimi i grupit të interesit publik, sportiv dhe të klubit Kamëza sha, e mbi të gjitha përpara çdo lloj vendimarrje të kësaj natyre, të merret mendimi dhe pëlqimi i qytetarëve të Kamzës”, përfundon komenti i Mziut. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!