Zhdukja e 43 studentëve në Meksikë 4 vjet më parë është rikthyer në qendër të vëmendjes. Policia meksikane ka arrestuar një të dyshuar që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen.
Policia federale në Meksikë ka arrestuar një person që konsiderohet i dyshuari kyç për zhdukjen e 43 studentëve nga qyteti i Igualasë, në vitin 2014. Erick Uriel Sandoval akuzohet se ka formuar bandën që dyshohet se ka vrarë studentët dhe më pas ka djegur trupat e tyre.
Ai u arrestua në Kokula, qyteti pranë pikës së grumbullimit të mbetjeve ku u gjet trupi i pajetë i njërit prej studentëve të zhdukur. Zhdukja e 43 studentëve shkaktoi një reagim masiv, kombëtar dhe ndërkombëtar. Një burim pranë zyrës së prokurorit që po drejton hetimet mbi ngjarjen ka deklaruar se Sandoval ka luajtur një rol të rëndësishëm në krimin e shumëfishtë ndaj studentëve.
Mediat lokale aludojnë se ai ishte një ndër anëtarët e bandës që kishte për detyrë të ekzekutonte studentët para se të digjnin trupat e tyre. 43 të rinjtë ishin pjesë e një grupi të madh që po trajnoheshin për t’u bërë mësues dhe kishin udhëtuar nga kolegji i tyre në qytetin e Igualasë për të protestuar kundër praktikave diskriminuese për zgjedhjen e mësuesve.
Në kthim, autobusi i tyre fillimisht u qëllua me armë dhe u ndalua nga policia, e cila më pas ua dorëzoi të rinjtë anëtarëve të bandës së zonës, Luftëtarët e Bashkuar. Këta të fundit i çuan studentët në një pikë të mbledhjes së mbeturinave dhe pasi i vranë dogjën trupat e tyre./abcnews.al