Gjendet i vdekur ish-biznesmeni rus në Britani

schedule18:55 - 13 Mars, 2018

schedule 18:55 - 13 Mars, 2018

Një vdekje me sfond rus është verifikuar në Britani, një javë nga helmimi i ish-agjentit Sergei Skripal. Ndërkohë, Uashingtoni ka bashkuar forcat me Londrën për ndëshkimin e Moskës nëse rezulton përgjegjëse.

Një ish-biznesmen rus që jetonte në mërgim në Londër është gjetur i vdekur, vetëm një javë nga helmimi i ish-agjentit të dyfishtë rus në Salisburi. Nikolai Glushkov u gjet i pajetë nga familja dhe miqtë e tij mbrëmjen e vonë të së hënës, raporton “The Guardian”.

Glushkov kishte qenë biznesmen në Rusi pas rrëzimit të regjimit komunist dhe ishte ortak i Boris Berezovsky, oligarku që u largua nga Moska, pasi u kthye në kritik të presidentit Vladimir Putin. Berezovsky u gjet i vdekur në tualetin e shtëpisë së tij në jug të Anglisë me një shall në qafë. Specialistët që kryen autopsinë arritën në përfundimin se ishte e pamundur të përcaktohej nëse oligarku ishte vrarë apo kishte kryer vetëvrasje.

Ndërkohë, vdekja e Glushkov vjen pak më shumë se një javë nga helmimi i ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia me një agjent kimik nervor. Sa i takon kësaj ngjarjeje, Britania po siguron mbështetje nga aleatët e saj. Presidenti Donald Trump ka deklaruar këtë të martë se të dhënat e para sugjerojnë se prapa helmimit qëndron Rusia.

“Dhe Shtetet e Bashkuara do ta ndëshkojnë Rusinë apo këdo qoftë përgjegjës”, ka thënë Trump. Ndërsa në Moskë, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka thirrur në takim ambasadorin britanik, duke i deklaruar se shteti rus nuk ka lidhje me ngjarjen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!