Policia ka arrestuar shoferin që shkaktoi aksidentin e një dite më parë ku dhjetë nxënës u plagosën. Ndërkohë dy vazja që janë të shtruara në spitalin e Beratit tregojnë tmerrin që panë kur mikrobuzi që po i çonte në shkollë përfundoi në përrua.
Nxënësit në Skrapar që të hënën përfunduan me mjetin e shkollës në përrua thonë se panë tmerr me sy.
Makina pasi doli nga rruga u rrokullis katër herë dhe në fund u shemb në thellësi.
Dy nga vajzat në spitalin e Beratit tregojnë se ishin të përfshirë në panik dhe mendonin se ndonjë prej tyre do të kishte humbur jetën.
“Kur morëm kthesën nuk i kapën frenat dhe ramë poshtë, ishim 26 veta, vetëm nxënës shkolle, gjimnazistë dhe 4 të nëntëvjeçares”
“Pamë tmerr, nuk di ç’të them, u rrotulluam katër herë, pastaj zbritëm, dolëm vetë, nuk kishte më keq, erdhën ambulanca e makina të rastit”.
Një ditë më pas Policia e Skraparit arrestoi shoferin e mikrobusit që u përmbys e për pasojë dhjetë nxënës u plagosën.
Ai është Astrit Hysi 52 vjeç nga Vërzhezha e Skraparit dhe akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Arrestimi i tij u bë pasi në rrugën dytësore Vërzhezhë –Çorovodë në vendin e quajtur Kthesa e Minos, duke drejtuar mjetin tip benz autobus, humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke u përmbysur në përrua, njofton policia.
Në mjet ndodheshin 25 nxënës, dhjetë u plagosën, një prej tyre në gjendje më të rëndë, e shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Ato ishin duke shkuar si çdo ditë në shkollë. /abcnews.al