Grupe nga Kosova në Zvicër porositën kokainën e kapur në Durrës

schedule11:29 - 13 Mars, 2018

schedule 11:29 - 13 Mars, 2018

Mediat kosovare raportojnë se një pjesë e kokainës së sekuestruar në Durrës në 28 shkurt, ishte porositur nga grupe të fuqishme trafikantësh kosovarë, të cilët veprojnë në Zvicër.

Sipas mediave kosovare dyshohet se një pjesë e sasisë së kokainës së sekuestruar në Durrës në 28 shkurt, është porositur nga grupe të fuqishme nga Kosova, të cilët qëndrojnë në Zvicër. Koha.net shkruan në fakt se këto grupe veprojnë në tregun e narkotikëve në Zvicër dhe janë porositësit e një pjese të kokainës që u kap në Maminas të Durrësit mes datave 27-28 shkurt, sipas dyshimeve të grupit hetimor të çështjes ‘Kokaina” që po hetohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e 613 kilogramëve kokainë kishte si treg kryesor kryeqytetin e Gjermanisë, Berlinin.

Më tej dyshimet bazohen dhe në faktin se udhëtimet e shpeshta, 6 herë brenda muajit të Donald Lushajt për në Kosovë me dy automjete të ndryshme kanë bërë që grupi hetimor të arrijë në përfundimin se një pjesë e kokainës do të dërgohej edhe në Zvicër.

Donald Lushaj dhe shoferi i kamionit që transportonte kontejnerin me banane ku ishte fshehur kokaina, Armando Pezaku, janë arrestuar nga policia ditën e operacionit.

Për këtë operacion një ditë më pas raportoi dhe media kolumbiane SIPSE.com sipas të cilës lajmi i konfirmuar nga agjencia shtetërore e lajmeve në Kolumbi, NOTIMEX, sekuestrimi i 613 kilogramë kokainë në Durrës që ishin fshehur në një ngarkesë me banana, ndodhi falë një operacioni të koordinuar mes Armatës Kombëtare të Kolumbisë, Agjencisë Ndërkombëtare të Inteligjencës dhe Policisë Shqiptare. /abcnews.al