Franca ka njoftuar planet për fillimin e lehtësimit të masave shtrënguese për koronavirusin brenda dy javësh. Shkollat dhe bizneset jo-esenciale do të rihapen duke filluar nga 11 maji.
Kryeministri Edouard Philippe tha se nuk do të ketë më kërkim lejesh për të dalë nga shtëpia ndërsa në muzetë e vegjël do të lejohet prania e vizitorëve.
Sidoqoftë, njerëzit do të vazhdojnë të udhëzohen akoma që të punojnë nga shtëpia aty ku është e mundur ndërsa restorantet dhe baret gjithashtu do të mbeten të mbyllura.
Philippe u shpreh se izolimi shpëtoi 62,000 jetë në një muaj, ndërsa gjithashtu theksoi se ai do të rivendoset nëse rastet e konfirmuara në një ditë në Francë do të rriten sërish në mbi 3,000.
Që nga 15 Prilli, numri mesatar i rasteve ditore në vend ka qenë 2,162.
Franca është vendi i fundit evropian që njofton lehtësim të masave shtrënguese të marra për të menaxhuar krizën e koronavirusit pasi numri i rasteve të reja dhe viktimat në kontinent nisin të ulen. /abcnews.al/