Qytetarët e Krujës nxituan paraditen e të mërkurës të plotësonin nevojat e tyre ushqimore, bashkë me frikën dhe ankthin e shtimit të rasteve me Covid-19 në qytetin e tyre të vogël.
Përballë shifrave që vijnë në rritje, ata e drejtojnë gishtin e përgjegjësisë në institucionet shtetërore që lejuan punën në fasoneri.
Një qytetare shprehet për Abc News:
Kena shumë frikë. S’ka dash hap. Ne rrimë në shtëpi duke u rujt, kur vje funi atje përhapet krejt. Kam komshi që kanë punu fasoneri, janë të papërgjegjshëm fare nuk rrinë mrena në shpi fare, rrinë t’u shëtit. Ne brona vetë, na mbrojt zoti.
Ndërsa një tjetër qytetar ankohet: Janë fasonet hapur. Shumë mirë qeveria jonë puno për bllokime për gjetje të personave përkatës. Po fasonet i ka lënë hapur në Krujë të gjitha. Ai është burimi.
Prezenca e uniformave të policisë në rrugët e qytetit është shtuar ditët e fundit, kur rastet me koronavirus filluan të përhapen me shpejtësi. Dhe për të gjithë të pabindurit, efektivët e Policisë kanë aplikuar edhe gjobat dhe shoqërimet në komisaritin e Policisë.
Në mesditë qyteti ra sërish në qetësi, ndërkohë që dy grupe epidemiologësh vijojnë të gjurmojnë ende raste të tjera të dyshuara me koronavirus në Krujës. /abcnews.al/