UEFA ultimatum të gjithëve, e zbulon Federata Shqiptare e Futbollit

schedule17:52 - 21 Prill, 2020

schedule 17:52 - 21 Prill, 2020

Sot, UEFA organizoi video-konferencën e radhës me 55 Federatat anëtare, përfshirë dhe FSHF-në. Ultimatumi, ka qenë i qartë: Çdo kampionat, ku luajnë ekipe që marrin pjesë në kupat UEFA, do të përfundojnë me çdo kusht.

Këtë gjë, e konfirmoi dhe FSHF, duke shkruar në faqen e tyre zyrtare: “Ditën e sotme u zhvillua video-konferenca me pjesëmarrjen e Sekretarëve të Përgjithshëm të 55 federatave anëtare të UEFA-s. 

Në këtë mbledhje drejtuesit e federatave u njohën me situatën aktuale të futbollit europian dhe diskutuan mbi disa opsione të mundshme në lidhje me rifillimin e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare për meshkuj dhe femra, sipas detyrave që ishin ngarkuar për dy grupet e punës që janë krijuar në mesin e muajit mars.

Mbledhja u përshëndet edhe nga Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, që falënderoi të gjithë Federatat anëtare për masat e marra dhe kujdesin e treguar për anëtarët e tyre. Në fillim të mbledhjes u prezantuan disa opsione kalendarësh në lidhje me skuadrat kombëtare dhe ndeshjet e kompeticioneve të klubeve.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, u njoh me rekomandimin e fortë të dhënë nga UEFA për përfundimin e kompeticioneve vendase në të gjithë Europën. Vendimet në lidhje me çështjet e mësipërme do të njoftohen pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të zhvillohet të enjten”./abcnews.al