Mbesa e Federika Mogerinit, përfaqësueses së lartë të BE-së, është arrestuar për herë të dytë nga policia italiane me akuzën e posedimit të kokainës. 28-vjeçarja, vajza e vëllait të Mogherinit, është lënë në arrest shtëpie
Mediat italiane raportojnë se policia ka arrestuar për herë të dytë mbesën e shefes për politika të jashtme në Bashkimin Europian, Federika Mogerinin. 28-vjeçarja, Gaia Mogherini, është arrestuar në kuadër të një aksioni të gjerë për shitjen e kokainës së pastër në lokalet më në zë të kryeqytetit italian.
Në pranga kanë përfunduar gjithsej 21 persona. Lajmi konfirmohet nga mediat, të cilat raportojnë 5 prej të arrestuarve janë kapur në flagrancë, duke shpërndarë kokainë, ndërkohë që 16 të tjerët, mes të cilëve edhe Gaia Mogherini, akuzohen si bashkëpunëtorë. Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar kokainë 97 për qind e pastër, si dhe armë zjarri në posedim të të arrestuarve.
Për Gaia Mogherini-n, kjo nuk është hera e parë që përfundon në pranga. Ajo është arrestuar edhe në Tetor të vitit 2016 për të njëjtën akuzë. Ajo është vajza e vëllait të Federica Mogherinit dhe aktualisht është lënë në arrest shtëpie me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike./abcnews.al