Sulejman Starova largohet nga drejtimi i Partizanit. Tekniku ka pranuar kërkesën e Bordit drejtues të klubit për të dhënë dorëheqjen, pas një sezoni që vazhdon të jetë negativ për të kuqtë.
Ky njeri nuk do të jetë më në stolin e të kuqve.
Bordi drejtues i Partizanit është mbledhur pas ndeshjes me Teutën dhe i ka kërkuar që të japë dorëheqjen, gjë që është pranuar nga ai që tani mund të quhet ish-trajneri.
Vendimi i drejtuesve erdhi për shkak të mungesës së rezultateve, pasi në 5 ndeshjet e fundit, ekipi ka marrë vetëm 1 fitore, ndërsa është eleminuar nga Kupa e Shqipërisë.
Në Durrës, të kuqtë u goditën pikërisht në sekondat e fundit, ndërsa diferenca me Kukësin e Flamurtarin mbetet e madhe, plus që Laçi e Kamza për momentin janë mbi ta.
Vendimi i klubit është që pas shkarkimit të Starovës, ekipin ta drejtojë zëvendësi I tij, Klevis Dalipi, të paktën deri në një moment tjetër kur të gjendet një kandidaturë e përshtatshme për detyrën.
Kjo ishte hera e pestë që Starova drejtoi Partizanin, duke qenë një nga protagonistët më të rëndësishëm, por edhe më të diskutuar të viteve të fundit.
Kur nuk ka qenë trajner, ai ka mbajtur postin e këshilltarit të presidentit Gazmend Demi, ndonëse tani nuk dihet nëse do të vazhdojë të jetë I tillë apo jo.
Gjatë edicionit, ai zëvendësoi në stol italianin Mark Iuliano, i cili pati një bilanc tepër negativ për periudhën që drejtoi kryeqytetasit.
Starova e dha një herë dorëheqjen këtë sezon, pas humbjes 0-5 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, por në atë rast, ajo nuk u pranua nga presidenti dhe drejtuesit e tjerë.
Skuadra kryeqytetase është në vendin e 6-të në Superligën me 10 ekipe, gjithnjë e më larg vendeve që të kualifikojnë për në Europë. /abcnews.al