Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar Donald Trump se plani i tij për të vendosur taksa në importimin e çelikut do të dëmtojnë vetë Shtetet e Bashkuara. Ndërsa analistët shprehen se do të rrisë çmimin e çelikut në SHBA.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i është bashkuar kritikave të planit të Donald Trump për të vendosur një taksë prej 25% mbi importet e çelikut dhe 10% mbi aluminin. FMN paralajmëroi se një veprim i tillë do të dëmtonte Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera. Thuhet se të tjerët mund të ndjekin precedentin e presidentit amerikan duke pretenduar se janë të nevojshme kufizimet e ashpra tregtare për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Kanadaja, furnizuesi më i madh i çelikut në SHBA, tha se tarifat do të shkaktojnë përçarje në të dy anët e kufirit.
Është një nga disa vende që kanë thënë se do të marrin në konsideratë masat hakmarrëse nëse presidenti do të çojë përpara planin e tij javën e ardhshme. Shefat e tregtisë së BE thuhet se po shqyrtojnë vendosjen e një tarife prej 25% ndaj importit të çelikut nga SHBA. Drejtori i Organizatës Botërore të Tregtisë Roberto Azevedo tha: “Një luftë tregtare nuk është në interesin e asnjë personi”. Por retorika u rrit pas publikimit të një mesazhi nga Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se “luftërat e tregtisë janë të mira dhe të thjeshta për tu fituar”. Analistët amerikanë mendojnë se tarifat, që Trump pretendon t’i vendosë, do të dështojnë në mbrojtjen e vendeve të punës dhe për pasojë do të rrisin çmimet për konsumatorët. Por Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross kundërshtoi këto pretendime duke thënë se taksat do të kishin një efekt të papërfillshëm në çmimin e hekurit, që mund të rritet në më pak se një cent.
Ndërkohë, përveç BE-së, Rusisë dhe Kinës, të shqetësuar dhe të përgatitur për kundër-masa janë edhe vende si Meksika Japonia dhe Brazili. /abcnews