Një kanal televiziv online, 24 orë në ditë, i dedikuar aktiviteteve të presidentit amerikan Donald Trump. Shtëpia e Bardhë ka lançuar “Trump TV: në një tjetër zhvillim të përplasjes së trump me disa prej mediave kryesore të vendit.
Ne kanal do te transmetohen fjalime, deklarata, video nga aktivitetet presidenciale dhe materiale të përzgjedhura nga administrata Trump. Në rrjetin social X, Shtëpia e Bardhë e promovoi nismën me mesazhin se jo çdo moment i rëndësishëm ka arritur deri tek publiku, duke shtuar se tashmë këto materiale mund të ndiqen drejtpërdrejt përmes platformës së re.
Lançimi i “Trump TV” vjen në një moment tensioni mes presidentit dhe disa mediave
Pak ditë më herët, Shtëpia e Bardhë ndaloi aksesin e gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico në ambientet presidenciale. Administrata e justifikoi vendimin duke akuzuar këto media për raportim të rremë. Trump tha se vendimi ishte rezultat i pakënaqësive të grumbulluara ndaj raportimit të mediave gjatë dy viteve të fundit.
CNN, MS NOW dhe Politico e kundërshtuan vendimin dhe e çuan çështjen në gjykatë. Tre organizatat argumentojnë se kufizimi i aksesit cenon të drejtat e tyre kushtetuese, përfshirë lirinë e shtypit të garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.
Në deklaratën e përbashkët, ato thanë se qeveria nuk duhet të përcaktojë se çfarë raporton apo publikon shtypi./abcnews.al

