Qeveria shqiptare nuk ka dhënë ndonjë ndihmë për botën e sportit deri në këto momente. Kryeministri Edi Rama është ndalur te kjo temë në emisionin “Opinion” në Klan, duke sqaruar përfundimisht qëndrimin e tij.
PLANI – “Atëherë ne kemi punuar për një plan të veçantë sa i përket lehtësimet të bizneseve dhe masave që kemi ndërrmarrë. Këtu do të futen në fuqi sapo të miratohen edhe masat e reja dhe ligjet nga presidenti Meta. Me shumë mundësi java e ardhshme do të jetë përgatitore për ata që do të hapen të parët, bizneset me rrezikshmëri të ulët. Më pas do të hapen aktivitetet e biznesit me rrezikshmëri të mesëm dhe me rrezikshmëri të lartë. Te kjo e fundit futen edhe aktivitetet sportive dhe ato ç’lodhëse”.
SPORTI – “Sa i përket afatit se kur mund të hapen këto bizneset me rrezikshmëri të madhe, mund të them se nuk dua që të tregohem optimist këtu, megjithëse e di që njerëzit preferojnë të dëgjojnë këto kohë një gënjeshtër të bukur më shumë sesa një të vërtetë të hidhur. Ne do ta bëjmë si Austria dhe jemi vetëm 10 ditë larg tyre. Me njërën dorë jemi te frenat dhe sapo numrat të përkeqësohen gjatë hapjes, atëherë do i tërheqim. Mos shikoni shumë vendet e tjera, ne jemi një skuadër si e jona që është modeste. Jo të thoni që; jo po hajde ta bëjmë si Barcelona tani, hajde ta bëjmë si Bajerni i Mynihut”.
PAGAT – “Për çfarë t’i paguajmë?! Për faktin që janë paguar historikisht shumë më tepër sesa kanë deklaruar?! Sepse po t’i shohësh, i deklarojnë si fasone dhe paguhen shumë mirë në fakt. Prandaj mos ta hapim më tej këtë temën se shkon e gjatë pastaj. Sportistët janë paguar mirë dhe këtë luftë e kalojnë pa ndihmën e shtetit. Në këtë moment artistët, këngëtarët, sportistët duhet që të shohin rreth e rrotull se ka shumë më keq se ta. Nëse lufta vazhdon, ndoshta mund t’i ndihmojmë”. /abcnews.al