Dy vjet para se pandemia e koronavirusit të përfshinte botën, zyrtarë të ambasadës amerikane vizituan një qendër kërkimesh në qytetin e Uhan disa herë dhe dërguan dy paralajmërime zyrtare në Uashington; për sa i përket kushteve të papërshtatshme të sigurisë në laborator. Aty po kryheshin studime të rrezikshme për koronaviruset nga lakuriqët e natës. Këto komunikime zyrtare të publikuara nga Uashington Post dhe media të tjera amerikane kanë ndezur dhe njëherë më shumë debatet brenda qeverisë amerikane nëse ky apo një laborator tjetër në Uhan janë burimi i virusit edhe pse ende nuk ka prova përfundimtare.
Në janar të 2018-ës, ambasada amerikane në Pekin mori një vendim të pazakonshëm duke dërguar diplomatë – shkencëtarë në Institutin e Virologjisë në Uhan i cili në 2015-ën u laboratori i parë në Kinë që kishte nivelin më të lartë të sigurisë për kërkime.
Instituti publikoi një dokument në gjuhën angleze për këto vizita të cilat ndodhën në 27 mars 2018, raporton abcnews.al.
Delegacioni amerikan drejtohej nga Jamison Fouss, konsulli i përgjithshëm në Uhan dhe Rick Suitzer, këshilltari i ambasadorit për teknologjinë dhe shëndetin.
Një javë më parë instituti i fshiu këtë deklaratë nga uebsajti dhe pse ai mbeti i arkivuar në internet.
Ajo që zyrtarët amerikanë mësuan gjatë vizitësh, i shqetësoi aq shumë ata sa dërguan menjëherë dy paralajmërime zyrtare të kategorizuara si shumë të ndjeshme por jo sekrete, në Uashington.
Mesazhet paralajmëronin për mungezë sigurie dhe menaxhimin e dobët në Institutin e Uhan, dhe u kërkua më shumë kujdes dhe ndihmë.
Mesazhi i parë, paralajmëronte gjithashtu se puna në laborator për koronavirusin tek lakuriqi i natës dhe mundësia që ai të transmetohej tek njerëzit, përfaqësonte një rrezik të tillë si një pandemi të ngjashme me SARS.
Në mesazhe këmbëngulej se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i jepnin më shumë ndihmë laboratorit në Uhan, kryesisht sepse kërkimet tek lakuriqët e natës ishin të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë të rrezikshme.
Në nëntor 2017 para vizitës së zyratrëve amerikanë, ekipi kinez publikoi kërkimet sipas të cilave lakuriqët e natës të marrë nga një shpellë në provincën e Junan ishin shumë të ngjashëm em lakuriqët e natës që mbartnin SARS në 2003-shin, raporton abcnews.al.
Më e rëndësishmja, sipas mesazheve, është se studiuesit treguan gjithashtu se koronaviruse të ndryshme në formë SARS mund të bashkëveprojnë me ACE2, receptorin njerëzor të identifikuar për SARS-koronavirus.
Ky konstatim sugjeron fuqimisht që koronaviruset në formë SARS nga lakuriqët mund të transmetohen te njerëzit për të shkaktuar sëmundje të ngjashme me SARS. Nga këndvështrimi i shëndetit publik, kjo bën mbikëqyrjen e vazhdueshme të koronaviruseve të ngjashme me SARS në lakuriqë dhe studimin e ndërfaqes kafshë-njerëzore kritike për parashikimin dhe parandalimin e shpërthimit të koronavirusit që shfaqet në të ardhmen.
Kërkimet u kryen për të parandaluar pandeminë tjetër të ngjashme me SARS duke parashikuar se si mund të shfaqet. Por edhe në vitin 2015, shkencëtarët e tjerë pyetën nëse ekipi kinezë ishte duke ndërmarrë rreziqe të panevojshme. Në tetor 2014, qeveria amerikane kishte vendosur një moratorium për financimin e çdo kërkimi që e bën një virus më vdekjeprurës ose ngjitës, të njohur si eksperimente “të përfitimit të funksionit”.
Siç e kanë theksuar shumë, nuk ka asnjë provë që virusi që po gjunjëzon botën ishte i projektuar; shkencëtarët kryesisht pajtohen që ai erdhi nga kafshët. Por kjo nuk është njësoj si të thuash se nuk ka ardhur nga laboratori, i cili ka shpenzuar vite duke testuar koronaviruse të lakuriqit në kafshë, thotë një shkencëtar kërkimi në Shkollën e Informacionit në Universitetin e Kalifornisë në Berkli.
Qeveria kineze, ndërkohë, ka vendosur një mbyllje totale të informacionit në lidhje me origjinën e virusit. Pekini ende nuk u ka ofruar ekspertëve amerikanë mostra të koronavirusit të ri të mbledhur nga rastet më të hershme. Laboratori Shanghai që botoi gjenomin e koronavirusit më 11 janar u mbyll shpejt nga autoritetet për “korrigjim”. Disa nga mjekët dhe gazetarët që raportuan për përhapjen më herët janë zhdukur. /abcnews.al



