Basha: Ndërtimi dhe PPP, skemat e pastrimit të parave të pista të qeverisë

schedule19:48 - 28 Shkurt, 2018

schedule 19:48 - 28 Shkurt, 2018

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat ka përsëritur pretendimin se sektori i ndërtimit, e sidomos ai në Tiranë, në bashkëpunim me koncesionet korruptive të Partneritetit Publik-Privat, janë skema korruptive e pastrimit të parave të pista të vjela në mandatin e kaluar nga kjo qeveri, për t’u investuar sot në ekonomi.

Rritja me 80% e lejeve të ndërtimit për banesa, apo me 200% për ndërtesat mbi 3 kate dhe rritja e vlerës së këtyre të fundit me 260%, ndërkohë që bankat kanë dhënë vetëm 0.6% kredi më shumë, janë tregues të qartë për kreun e opozitës se ekonomia po kriminalizohet. Në konferencë për media, shpalosi shifrat në mbështetje të argumentit të tij.

Lulzim Basha: “Fakti që jemi përpara një katastrofe ekonomike me pasoja për dekada të tëra. Nuk ka sektor ku duket me qartë se në ndërtim. Bashkia e Tiranës është kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të pista, ndërtimet e larta s’kanë kuptim ekonomik as kuptim për strehim. 2016 viti rekord për drogë ndërsa 2017 viti për lejet e ndërtimit”.

Tirana ka mjaftueshëm apartamente boshe, sipas Lulzim Bashës, ndaj nuk ka asnjë logjikë racionale të shpjegojë këtë financim në ndërtim në kryeqytet.

Lulzim Basha: “Aspekti 2 është PPP 1 miliard dollarë, i shpallur nga Edi rama dhe i denoncuar nga ne si pastrimi i parave të pista”.

Këtu situata bëhet edhe më keq sipas Lulzim Bashës sepse në lojë futen edhe paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Lulzim Basha: “Privati investon per inceneratore por në fakt do e paguajë qytetari me taksa. Nese ndërtesat bëhen me para droge, inceneratorët po marrin dhe taksa shqiptarësh.”

Borxh të fshehur e quan ai dhe njëkohësisht një nga rreziqet më të mëdha të shkatërrimit të ekonomisë në afatgjatë, kjo, pasi kontratat koncesionare janë të shtrira në kohë 15-30 vjeçare dhe në fund janë para që do paguhen nga buxheti i shtetit, çdo vit.

Ky borxh do të vijojë të rëndojë në xhepat e shqiptarëve, pabarazia mes të cilëve është rritur, sipas selisë blu, ku 90% e shqiptarëve kanë parë një rritje të të ardhurave 14.4% më të ulët se 10% më i pasur i tyre.

Mungesa e rritjes së pagës minimale në vend, e shoqëruar me rritjen e numrit të të punësuarve vetëm për moshat 64 vjeç e sipër, absurd ky sipas selisë blu, i gërshetuar me % drastike të të rinjve që po largohen nga vendi, japin alarmin e plakjes së popullsisë./abcnews.al