Akuza të rënda për FFK, klubi nga Mitrovica: Të nisin hetimet

schedule13:59 - 13 Prill, 2020

schedule 13:59 - 13 Prill, 2020

FFK pak ditë më parë bëri publik planin e ndihmave për klubet e futbollit në Kosovë, por ka shumë pakënaqësi. Një pjesë e klubeve mendojnë se qeveria e futbollit në Dardani mund të bëjë më shumë, me pretendimin se Fondi i Solidaritetit, që jepet nga UEFA, shkon për investime të dyfishta. Llapi dhe më pas Ferizaj dolën me deklarata në ditët e shkuara, ndërkohë që sot ka bërë të njëjtën gjë edhe Trepça ’89, që kërkon që të nisin hetimet mbi atë që po ndodh në FFK.

REAGIMI I KLUBIT NGA MITROVICA – FFK, si duket nga frika apo nga paniku, ka filluar edhe natën të lidhë kontrata-(nëse ka) të dyshimta për dy fusha të futbollit, në stadiumin e Hajvalisë. Pa e marrë aprovimin nga KE i FFK-së, pa hapur tender për këto fusha, pa prezantuar projekt të këtyre fushave, pa marrë leje ndërtimi nga KK Prishtine, pa asnjë kriter punon dhe investon në këto fusha, ku ende nuk dihet qëllimi i investimit.

 

Aleksander Ceferin dhe Agim Ademi (foto: Harold Cunningham – UEFA/UEFA nga Getty Images)

Ne klubet e Kosovës përballemi me vështirësi të mëdha, ndajmë edhe kafshatën e gojës vetëm që futbolli në Kosovë të përparojë. Po qe se FFK dëshiron të investojë në infrastrukturën e futbollit, ka mundësi të mëdha, ndaj në secilin qytet të Kosovës këto investime do të ishin të mirëseardhura, pra do të dihet edhe qëllimi si dhe shfrytëzuesi i saj.

Ne, Klubi Trepça ’89, po ju prezantojmë gjendjen e Stadiumit “Riza Lushta” në Mitrovicë, ku FFK ka mundësi të investojë dhe këtë investim ta bëjë në mënyrë transparente, me projekt konkret, me procedura të ofertimit, çmimin-parallogarinë, organin mbikëqyrës, me lejen nga KK Mitrovicë, pra me të gjitha procedurat legale dhe me prezencën e përfaqësuesve te Shtetit, mediave dhe Komunitetit sportiv: kjo do ishte transparenca dhe metodat që duhet të ndiqen nga FFK për të gjitha investimet që bëhen.

Në këtë kohë të mbijetesës, në kohën kur i gjithë Globi e ka vëmendjen dhe merret me pandeminë, pikërisht  këtë e shfrytëzon FFK dhe angazhon ekskavatorët, duke punuar edhe të dielave. Duke ditur tani që UEFA dhe të gjitha Federatat janë duke i ikur barit sintetik, për shumë shkaqe e kryesorja shëndetësore, FFK investon mu në fusha artificiale, që nuk u dihet prodhimi, licenca e aprovuar nga FIFA, e te cilat janë importuar duke ju paguar dogana, kur dihet se FFK në investimet e veta nuk paguan taksa shtetërore (janë transaksione të dyshimta).

Mu në këtë kohë, çuditërisht kur ekipi e Prishtinës feston 100 vjetorin, mbetet pa fushë, pa stadium, e më e çuditshmja është se një klub i shuar në gusht të 2019, ish-klubi i Agim Ademit bëhet me stadium, pra një klub që ndoshta 10 euro nuk i ka patur në llogari, tani i themeluar në janar të 2020, importon barin sintetik për këtë fushë (Bari i njëjti me fushat e Hajvalisë), e bashkëpronar në këtë klub është djali i motrës së Agim Ademit, Visari.

Pra, ne si klub publikisht kërkojmë nga organet e hetuesisë t’i ndërmarrin hapat ligjor, t’i ndërlidhin faktet dhe të vërtetojnë lidhjet kontraktuale të dyshimta nga FFK me këto ndërmarrje. Personi apo personat përgjegjës që nëse i kanë bërë këto veprime, nuk e kanë vendin në FFK, në gjuhen popullore këtyre dhe punës së tyre i thonë HAJNA.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!