Një vit më vonëm policia zbuloi se vdekja e një gruaje në Fier, nuk ka qenë natyrale, por ajo është vrarë nga burri i saj. Policia ka ndaluar të dyshuarin, Namik Velaj, 75 vjeç, dhe ka proceduar penalisht mjekun e urgjencës së spitalit të Fierit.
Në Janar të vitit të kaluar u shpall e vdekur natyralisht, por hetimet zbuluan tjeter gje. 65-vjeçarja, Vreke Velaj nga Patosi ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.
Policia arrestoi Namik Velajn, i cili dyshohet që e ka mbytur gruan e tij. Për të mos u kapur, 75-vjeçari duket ka përdorur mjekun që përpiloi aktin e vdekjes.
Ai ishte mjeku i qendrës spitalore të Patosit, Ilir Tanku, i cili ka shkuar në banesën e të moshuarve i njoftuar nga 75-vjeçari.
Mjeku e ka cilësuar vdekje natyrale duke qenë se 65-vjeçarja, Vreke Velaj, nuk kishte shenja dhune në trup.
Ngjarja tingëllon si film horror, pasii moshuari dyshohet se e ka mbytur gruan e tij me jastëk.
Motivi ende nuk është sqaruar në një kohë që hetimet vazhdojnë prej 6 muajsh.
Nuk dihet nëse mjeku ka bashkëpunuar me autorin e dyshuar apo ka vepruar me neglizhencë. Tanku ndodhet jashtë shtetit për specializim, ndërkohë që, Gjykata i ka hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit. Për autorin e dyshuar të vrasjes është marrë masa e arrestit me burg pa afat.
Ai akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare. Ngjarja nuk do të ishte zbuluar po të mos ishte për këmbënguljen e vëllezërve të viktimës që jetojnë jashtë shtetit. Këta të fundit duke denoncuar problemet që kishin bashkëshortët Velaj detyruan autoritetet të nisnin hetimin duke bërë edhe zhvarrimin e gruas së ndjerë. Bashkëshortët jetonin të vetëm në banesën e tyre në Patos.
Njoftimi i Policisë Fier
Zbardhet vrasja e një shtetaseje nga bashkëshorti i saj në Janar të vitit 2017. Policia ndalon autorin e dyshuar të ngjarjes. Procedohet penalisht edhe mjeku i Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë rifilluar hetimet për një ngjarje të ndodhur në Janar të 2017 ku ka humbur jetën shtetasja V.V, vdekja e së cilës është trajtuar si vdekje natyrale. Pas një pune hetimore disa mujore nga Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, është arritur të sigurohen prova dhe të merret masa e ndalimit ndaj autorit të dyshuar të vdekjes së shtetases V.V, bashkëshortit të saj, shtetasit: -Namik Velaj, 75 vjeç, banues në Patos.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 23.02.2018, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në Burg” për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga Neni 79/c i Kodit Penal.
Gjithashtu është marrë masa e heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit për mjekun e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, shtetasin I.T si edhe ka filluar procedimi penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” në Policinë Gjyqësore. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. /abcnews.al