Mario Giuffredi është një agjenti i njohur në futbollin italian. Ai zotëron të drejtat e Elseid Hysajt, Emanuele Ndojt dhe Ledian Memushajt. Solidariteti i Shqipërisë me dërgimin e 30 mjekëve në ndihmë të Italisë dhe fjalimi i kryeministrit Edi Rama, e kanë emocionuar. Giuffredi ka dhënë një rrëfim të sinqertë për TMW, aty ku tregon bisedën e bërë me Hysajn, situatën e vështirë që po kalon vendi i tij dhe gjithë bota, teksa e cilëson koronavirusin si një ndëshkim nga Zoti.
“Nuk jam një tip që e ndjek politikën, është një botë që nuk më ka pëlqyer kurrë. Por, Edi Rama ishte një nga politikanët e paktë, në mos i vetmi, i cili foli me zemër. Kjo e nderon, atë dhe gjithë popullin shqiptar që janë mirënjohës ndaj Italisë. Mirënjohja nuk ekziston në ditët e sotme, njerëzit harrojnë gjithçka shumë shpejt.
Telefonova Hysajn dhe i thashë që do doja të njihja Ramën sapo të përfundonte kjo situatë, sepse kur një person flet me zemër, ai është një burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në përvojën time kam konstatuar se shqiptarët janë njerëz të fjalës, njësoj si ne napolitanët. Rinovimi i Hysajt? Për momentin as që bëhet fjalë të diskutohet, nuk është e arsyeshme të flasim për futboll në këto momente. Do të nisim bisedimet kur të fillojmë të shohim dritë në fund të tunelit.
Nuk dua të flas as për para’ dhe as për kontrata. Diskutimet e vetme që bëj me lojtarët e mi lidhen me shëndetin. Gjithçka që po ndodh, sipas meje, është një ndëshkim i Zotit kundrejt njeriut. Jemi mbyllur në shtëpitë tona si minjtë. Kjo të bën të kuptosh se duhet të jetojmë jetën tonë pa fiksimin e arritjes diku apo të egoizmit.
Të gjithë duhet të rregullohemi. Të shijojmë gjërat e vogla dhe të gëzojmë jetën që është dhurata më e bukur që Zoti na ka dhënë. Kur gjithçka të ketë përfunduar, atëherë duhet të kemi zotësinë dhe inteligjencën për t’u kujtuar për këtë periudhë. Kjo situatë do të na bëjë të kuptojmë sesi të përballojmë jetën. Do të jemi një komb më i mirë”, përfundon Mario Giufreddi. /abcnews.al