Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Endri Tafani, e ka cilësuar luftën në Ukrainë si një “lojë mbijetese” për presidentin rus Vladimir Putin, duke argumentuar se Kremlini nuk mund ta përballojë politikisht perceptimin e një disfate. Tafani është publikuar edhe më herët si autor dhe komentues mbi luftën në Ukrainë.
Sipas tij, konflikti ka hyrë në një fazë ku Putin është futur “all in”, duke hedhur të gjitha pasuritë dhe fuqinë e Rusisë në fushën e betejës.
Ai theksoi se për presidentin rus kjo nuk është thjesht një luftë, por një çështje mbijetese politike.
Sipas Tafanit, deklaratat e Putinit për rikthimin e fuqisë së Rusisë në skenën ndërkombëtare e bëjnë edhe më të vështirë pranimin e një humbjeje në Ukrainë.
“Konflikti ka qenë qëkur Putini është futur all in, dmth të hedhësh të gjitha pasuritë në fushën e bixhozit. Kur diktatorët futen all in, ose fitojnë ose humbin postin. Për Putinin kjo është një lojë mbijetese, ai nuk mund të përfitojë një disfatë.
Duke qenë se është në atë pozicion që thotë se do të rivendosim forcën e Rusisë në botë, të mos arrish të fitosh ndaj një shteti si Ukraina tregon se do të jesh një dështak dhe mburravec. Putini nuk pranon që të dalë dhe të ketë perceptim në Rusi që e humbi luftën.”

