Sulmuesi i Tiranës, Grent Halili, ka folur në emisionin Fan Zone në Supersport, ku pranoi se mbiemri ka ndikuar disi në karrierën e tij. Gjithashtu, Halili pranoi se e ka menduar edhe largimin, si dhe “mposhti” motrën e tij, Goldi Halili, për kreun e presidencës në të ardhmen.
“Unë apo Goldi? President besoj se do të jem unë. Goldi të them të drejtën është fokusuar te disa biznese tjera të familjes. Besoj se presidencës në të ardhmen ta marr unë. Nëse më lejoni që t’iu them, familja ime është infektuar nga virusi “Tirona” prej shumë kohës. Besoj se do të infektohet dhe brezi në vazhdim. Shpresoj që një ditë të realizohet kjo gjë, është diçka që dua ta bëj. Por nuk do ta shoh si fëmijën e tretë, ashtu siç e shikon babai im.
Kemi fatin që babai na ka ndërtuar diçka që mund të na e realizojë, ta kemi më të thjeshtë. Minutazhi te Tirana? Të them të drejtën, unë mund të flas nga mëngjesi deri në darkë dhe njerëzit do të mendojnë vetëm atë që duan të mendojnë. Por nga momenti që kam filluar karrierën, 16 vjeç, kam sakrifikuar shumë veten time për interesat e klubit, për biznesin familjar. E kam menduar gjithashtu të transferohem te një klub tjetër, por absolutisht prezenca ime në atë klub, nuk ndikon as te stafi, as tek ekipi, pasi unë jam përpjekur dhe përpiqem çdo ditë që të jem si të gjithë të tjerët. Suksesi i këtij viti ka ardhur pasi kemi menduar për të mirën e grupit, jo individual. Edhe unë kam parë vetëm interesin e klubit dhe në fund fare, nëse arrijmë objektivat, jemi të gjithë të kënaqur.
Thjesht dua të rinis stërvitjen me grupin, me ekipin, të rikthehemi sa më shpejt në fushën e lojës. Mezi po presim të ngremë titullin kampion, e duam në fushë. Për në lokal te Blloku, do të dalim kur të fitojmë titullin kampion. Për pjesën tjetër, unë jam single”, tha Halili./abcnews.al