Jupi: Futbolli nuk është si bizneset tjera, djali do të luajë për Shqipërinë

schedule16:28 - 27 Mars, 2020

schedule 16:28 - 27 Mars, 2020

Ish-trajneri i Shpresave kuqezi, Redi Jupi, ka folur për emisionin Fan Zone në Supersport, aty ku pranoi se kjo pandemi botërore, do të ndikojë në sport, si dhe siguroi që djali i tij, nuk do të zgjedhë Francën, por do të luajë për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Mes të tjerash, ish-futbollisti i njohur tha: “Skuadra më e mirë shqiptare? Nuk mund të jem i paanshëm. Dinamo e vitit 2002 ka qenë skuadër shumë e mirë, edhe Tirana e atij viti. Skënderbeu më pas ishte një realitet. Do doja shumë që djali të luante për Shqipërinë. Të luash për vendin tënd është diçka e madhe, kurse të luash me Francën do jesh një prej atyre. Unë e shtyj të luajë me Shqipërinë, pasi të luash për vendin tënd është diçka shumë e mirë.

Duhet parë ecuria e ekonomisë botërore. Të gjitha kampionatet më të forta kanë lulëzuar kur ekonomia ka qenë në momentet më të mira. Mbani mend Italinë e para 15 vitesh, në Serie A ishte kampionati më i fortë në botë. Tani po ecën Anglia me hapa shumë të mëdhenj, pasi dihet forca e tyre ekonomike. Edhe pse Shqipëria është një vend pak abstrakt në këtë aspekt, edhe futbolli do e vuajë këtë pandemi botërore. Është e pashmangshme që e gjithë kjo të mos reflektohet te futbolli. Akoma nuk e kemi të qartë, për momentin po e vuajmë këtë moment. Futbolli nuk është njësoj si një biznes tjetër, si hoteli për shembull, që e mbyll një muaj e pastaj vazhdon aktiviteti normalisht.

Unë këto ditë, kam lexuar, pasi kemi pasur kohë të informohemi, dhe po shikojmë që të merremi me sport, po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Deri para kësaj pandemie, sporti ka qenë luks, hobi, por pas kësaj, po shikojmë që është domosdoshmëri, për të gjitha moshat. Futbolli i moshave: Neve na shërben për këtë aspekt, që fëmijët të merren sa më shumë me sport. Nuk po flas për aspektin ekonomik, pasi klubet tona lëngojnë në këtë aspekt. Me paratë që marrin futbollistët, mund të shëronin shumë të sëmurë, mund të bënin donacione. Por harrojmë që një artist merr miliona për një film, një boksier merr miliona për një ndeshje. Prandaj mos pretendoni që një futbollist të japë para për luks të panevojshëm.

Unë nuk po e ndjej shumë, por para disa kohësh kam pasur simptoma gripi për 10 ditë. Gjithsesi, nuk është se pati një kujdes të shtuar apo një ndalim aktiviteti. Tani na thanë që është një grip i zakonshëm, por po shikojmë që po përhapet pasivisht. Tani nuk e dimë çfarë masash duhet të marrim. Besoj se ne jemi një popull i ri, me një pozicion gjeografik të caktuar dhe mbase-mbase, do e kalojmë lehtë. Unë po e lexoj dhe një mjek shumë i njohur amerikan, i pari që kishte gjetur sëmundjen HIV-Aids, tha që për 2 vite del vaksina, por sot e kësaj dite nuk ka dalë. Edhe Korona, akoma nuk ka vaksinë. Ne jemi në pritje të zhvillimit të teknologjisë. Ne, maksimumi që mund të bëjmë, është të rrisim imunitetin tonë, më shumë se kaq nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha Redi Jupi./abcnews.al