Gjithmonë i gatshëm për tratativa dhe kompromis për emigracionin, presidenti I Francës, Emmanuel Macron nuk dëgjon histori dhe ndjek erën e opinionit publik duke favorizuar masa ekstreme: projektligji i prezantuar në ministrinë e brendshme të Gerard Collomb, shumë afër me kreun e shtetit, përbën një shtrëngim të masave në këtë sektor. Megjithatë ende pa u miratuar po shkakton shumë polemika në shoqërinë civile dhe deri mes deputetëve të partisë së Macron, të cilët zotërojnë mazhorancën absolute në Asamblenë Kombetare. Megjithëse mund të aprovojë çdo ligj të propozuar nga qeveria, këtë herë mund të ndodhë surpriza.
Bëhet fjalë për ligjin “për emigracionin e menaxhuar dhe një të drejtë azili politik efektiv”. “Është një projekt i ekuilibruar”, thekson Collomb ndërsa shton se Franca duhet të strehojë të gjithë refugjatët politikë por jo ata ekonomikë. “Në këtë pikë duhet të ndryshojmë legjislacionin tonë, i cili tani është më favorizues se vendet e tjera europiane”, nënvizon ai.
Ndërkohë, masat e reja pritet të prekin edhe shumë shqiptarë që kanë parashtruar kërkesat e tyre për azil ekonomik në Francë. Në bazë të ligjit të ri do të reduktohet koha për marrjen e azilit në 6 muaj nga prezantimi i kërkesës, kundër 11 që është mesatarja aktuale. Dhe apelimi kundër vendimit negativ nuk do të merret parasysh për atë kategori personash që vijnë nga vende të sigurta, ku bën pjesë dhe Shqipëria.
Gjithashtu kalimi i paligjshëm i kufirit do të cilësohet krim, dhe mund të ketë dënim nga 1 vit burg deri në mbi 3 mijë euro gjobë. Megjithatë ligji ka edhe masa positive, pasi u mundëson minorenëve që u është njohur statusi i refugjatëve që të marrin familjarët e tyre në Francë./abcnews.al