Koronavirus i dha një mësim të vështirë : Vendet e tjera duhet të mësojnë nga Italia

schedule15:50 - 20 Mars, 2020

schedule 15:50 - 20 Mars, 2020

Artikulli në vijim është shkruar nga  Maurizio Molinari, kryeredaktori i La Stampa.

Javën e kaluar, Italia u bë vendi i parë në Europë që bllokoi gjithë lëvizjet e qytetarëve për t’i mbrojtur ata nga sulmi pandemik. Më parë, një skenar i tillë ishte thjesht një hipotezë akademike për ekspertët e sigurisë kombëtare. Tani, ajo që po bën Italia mund të bëhet një model për vendet e tjera të kërcënuara nga i njëjti armik: koronavirusi.

Italia është ende nën sulm, siç tregohet nga rritja e numrit të infektimeve dhe vdekjeve dhe beteja kundër virusit është plot të panjohura, por ka tre aspekte që mund të shërbejnë si mësim për të gjithë.

Së pari, ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Pandemia e kapi Italinë në befasi, pothuase si një sulm terrorist në shkallë të gjerë. Në shkollat e luftës, njerëzit mësojnë si të përgatiten për të luftuar në konfliktin tjetër. Tani ata e dinë se kjo mund të shkaktohet jo nga një armik i armatosur, por nga një virus. Si pasojë, spitalet, qendrat mjekësore, pajisjet shëndetësore, mjekët dhe infermierët janë ekuivalent me vijën e përparme të betejës. Ata duhet mbrohen dhe forcohen. Kjo do të thotë se duhet të investojmë në shëndetësi për të pasur siguri. Dhe kjo do të thotë që duhet të rimendohen buxhetet kombëtare për t’u vendosur në funksion të burimeve strategjike për punë kërkimore, zhvillim dhe trajnime në sektorin e mjekësisë. Në këtë pikë, është e rëndësishme që BE dhe NATO të ndërtojnë urgjentisht një politikë të efektshme, të strukturuar dhe të mirëfinancuar për sigurinë shëndetësore.

Së dyti, një tjetër mësim që vjen nga përvoja e pandemisë në Itali është bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve zyrtare. Nëse qeveria e Giuseppe Conte-s ka bllokuar jetën publike, ka detyruar miliona njerëz të qëndrojnë në karantinë dhe të përballen me një kosto ekonomike, kjo do të thotë se është mënyra më efektive për të mposhtur virusin. Por që kjo të jetë e suksesshme, është e nevojshme që çdo qytetar të bëjë pjesën e tij. Pandemia prek çdo rrugë, çdo bllok apartamentesh, çdo shtëpi. Është me rëndësi që të gjithë të kuptojnë rëndësinë e kufizimeve si një mënyrë për të mposhtur virusin që të gjithë t’i kthehemi normalitetit.

Së treti, ekziston edhe një tjetër element i përvojës italiane: ai pasqyrohet te njerëzit që dalin nëpër dritare dhe ballkone dhe këndojnë bashkë dhe falenderojnë mjekët dhe infermierët. Ata luajnë, këndojnë himnin, këndojnë “O Sole mio” dhe këngë dashurie si një mënyrë për t’u bashkuar kundër pandemisë. Është një shfaqje patriotizmi që në ditë si këto e bën kombin më të bashkuar. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Pastiçeritë e Torinos po sjellin ëmbëlsira për pacientët, mjekët dhe infermierët nëpër spitale. Milanezët nuk po kërkojnë rimbursim të biletave të teatrit. Njerëzit e tjerë po përdorin internetin për të ndihmuar bashkëkombasit e tyre.

Në La Stampa jemi gjendur në vijën e parë të kësaj krize, si shumë gazeta dhe zyra të tjera të goditura nga virusi. Pesë ditë më parë, një punonjës i yni në Torino u diagnostikua pozitiv. Qe atëherë, kemi zbatuar protokolle të rrepta sigurie për të siguruar të gjithë punonjësit. Stafi dhe gazetarët mblidhen dhe koordinohen përmes platformave online. Si çdo italian tjetër, ne po përballemi me rreziqe të përditshme, por duhet të vazhdojmë të informojmë njerëzit. Sepse kur një demokraci është në sulm, madje edhe nga një virus, informacioni i lirë dhe i pavarur është një vlerë strategjike. Të gjithë ata që qëndrojnë në shtëpi mbështeten te gazetat si e jona për të ditur se çfarë po ndodh.

Italia po i përshtatet situatës duke siguruar që pasioni për jetën të tejkalojë frikën nga virusi, duke hedhur poshtë imazhin e një populli të prapambetur që nuk ka dëshirë të respektojë ligjet dhe rregulloret. Është energjia e kombit për të qenë në gjendje të ringrihemi kur kriza e koronavirusit të mposhtet. Edhe nëse dita është e largët./abcnews.al