Në Itali numri i personave të infektuar nga koronavirusi ka shkuar në 41,035. Teksa shifrat rriten në mënyrë të frikshme, si duket tashme shteti fqinj ia ka kaluar edhe Kinës për numrin e viktimave.
Me 427 viktimat e regjistruara vetëm 24 orët e fundit numri total i personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e Covid-19 në Itali shkon në 3,405. Ndërkohë, Kina mban vendin e parë në botë sa i përket rasteve të konfirmuara në total me korornavirus, por numri i viktimave në vendin aziatik është 3,245. Kjo e bën Italinë vendin e parë në botë për numrin më të madh të viktimave të shkaktuara nga Covid-19. Vendin e tretë vazhdon ta mbajë Irani me 18,407 të infektuar dhe 1,284 viktima.
Kurba e epidemisë në Kinë, prej kohësh tashmë është në rënie. Brenda 24 orëve të fundit vendi numëron 34 raste të reja me të infektuar ndërsa personat që kanë ndërruar jetë janë tetë.
Më herët autoritetet e shëndetit në vend kanë deklaruar se nëse kurba e epidemisë nuk bie së shpejti, atëherë spitalet e tejngopur nuk do kenë më mundësi që t’u ofrojnë ndihmë mjekësore të sëmurëve.
Ndërsa vendi fqinj do të nisë edhe prodhimin e maskave për të përballuar kërkesën pasi një sasi e madhe e tyre u bllokuan nga shtete të tjera. /abcnews.al/


