Shfaqet një vatër e re e të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri.
Bëhet fjalë për Qytetin e Kavajës ku sot rezultuan dy persona të prekur nga Covid-19. Ata janë babë e bir, përkatësisht 42 dhe 80 vjeç të cilët ishin kthyer nga italia pak ditë më parë.
Të dy ishin vetëkarantinuar, por gjatë dy-tre ditëve të fundit u ishin shfaqur simptoma të ngjashme me ato të koronavirusit.
Ata kanë lajmëruar 127 dhe autambulanca i ka transportuar drejt Spitalit Infektiv në Tiranë ku po mbahen nën kujdesin e mjekëve.
Mesohet se momentalisht gjendja e tyre është e stabilizuar. Menjëherë pasi u bë publik lajmi për të prekurit e parë, qytetarët e Kavajës janë mbërthyer nga frika e paniku, pasi dyshojnë se virusi mund të jetë përhapur edhe tek persona të tjerë.
Aktualisht strukturat shëndetësore kanë nisur gjurmimin e personave të kontaktit me dy të infektuarit. Ndërsa Bashkia e Kavajës ka nisur dezinfektimin e zonës në të cilën jetojnë dy të prekurit me koronavirus.
Po nga rezultatet e testimeve, kanë rezultuar pozitiv dhe 3 italianë që ndodhen aktualisht në Shqipëri. “Abc News” ka mësuar se bëhet fjalë për një grua dhe dy burra të cilët janë dërguar në Spitalin Infektiv në Tiranë pasi kanë shfaqur shenja klinike të sëmundjes.
Prej së mërkurës pacientët po trajtohen në këtë shërbim dhe ndodhen në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Informacionet rreth këtyre personave janë të rezervuara megjithkëtë autoritetet shëndetësore, të pyetur nga “Abc News” kanë mohuar të kenë lidhje me sipërmarrje private në Shqipëri.
Aktualisht specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë nisur hetimin epidemiologjik./abcnews.al