Nga Nature
Përshtati në shqip: Dr. Eldores Sula, Biolog Molekular
COVID-19 nuk është krijuar dhe madje, as është manipuluar në laborator. Ky është pwrfundimi i hulumtimit të botuar dje në revistën prestigjoze “Nature Medicine”, me titull: “Origjina fillestare e SARS-CoV-2” me autorë Kristian G. Andersen et al., i cili mund të na bëjë të zgjidhim disa nga pikëpyetjet tona në lidhje me këtë virus që po mban peng një botë të tërë.
Studiuesit në këtë përmbledhje nga analiza krahasuese gjenomike e 7 llojeve të njohura coronavirusesh që infektojnë njeriun, SARS-CoV, MERS-CoV, SARS-CoV-2, HKU1, NL63, OC43 dhe 229E, kanë arritur në përfundimin se SARS-CoV-2 (COVID-19) nuk është një virus i ndërtuar në laborator e as një virus i manipuluar me qëllim.
Në bazë të të dhënave gjenetike strukturore dhe biokimike ky virus lidhet me receptorin membranor njerëzor ACE2.
Zona proteinike e mbështjellës virusale (RBD) që lidhet me këtë receptor paraqet dhe pjesën më variable të gjenomës së Coronavirusit (Figura 1.a).
Kjo zonë proteinike ka një afinitet të lartë lidhjeje me receptorin ACE2 të njerëzve, nuselalës, maceve dhe specieve të tjera që përmbajnë këtë lloj receptori.
Ndërsa analizat sugjerojnë që SARS-CoV-2 mund të lidhë ACE2 njerëzore me një aftësi të madhe, analizat matematikore parashikojnë që bashkëveprimi nuk është ideal dhe se sekuenca lidhëse me receptorin është e ndryshme nga ato të paraqitura në më parë për virusin SARS.
Kështu që, lidhja me prirje të lartë e proteinës të SARS-CoV-2 për ACE2 të njeriut ka shumë të ngjarë të jetë si rezultat i përshtatjes natyrore me një receptor ACE2 njerëzor që ka çuar në një zgjidhje tjetër optimale lidhëse për virusin, transmeton abcnews.al.
Kjo është një provë e fortë që SARS-CoV-2 nuk është produkt i manipulimit të qëllimshëm.
Karakteristika e dytë e virusit COVID-19 është një zonë S1-S2 polibazike (Figura 2.b) në proteinën e mbështjellës virusale, e cila ka një rol përcaktues në infektivitetin viral dhe spektrin e bujtarëve që infekton.
Teoritë e origjinës së virusit
Është e pamundur që SARS-CoV-2 të ketë dalë përmes manipulimit laboratorik të një koronavirusi të ngjashëm me SARS-CoV të mëparshëm.
Siç u përmend më lart, zona lidhëse (RBD) e SARS-CoV-2 është optimizuar për t’u lidhur me ACE2 njerëzore me një zgjidhje efikase të ndryshme nga ato të ndodhura më parë.
Për më tepër, nëse do të ishte kryer manipulim gjenetik, një nga sistemet e kundërta gjenetike të disponueshme për betakoronaviruset do të ishte përdorur. Sidoqoftë, të dhënat gjenetike tregojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se SARS-CoV-2 nuk rrjedh nga ndonjë mostër gjenetike e përdorur më parë e virusit.
Studiuesit kanë propozuar dy skenarë që mund të shpjegojnë me siguri origjinën e SARS-CoV-2: (i) përshtatjen natyrore në një kafshë bujtare para transferimit në njerëz (zoonotik); dhe (ii) përshtatja natyrore tek njerëzit pas transferimit zoonotik.
Ekziston dhe mundësia e përshtatjes përgjatë transmetimit që të ketë dhënë SARS-CoV-2.
Meqenëse shumë raste të hershme të COVID-19 ishin të lidhura me tregun Huanan në Wuhan, është e mundur që një burim kafshësh të ishte i pranishëm në këtë vend.
Duke pasur parasysh ngjashmërinë e SARS-CoV-2 me koronaviruset e ngjashme të mëparshme SARS-CoV, ka të ngjarë që lakuriqët të shërbejnë si bujtarë rezervuarë për paraardhësin e tij.
Pwr shembull, virusi RaTG13, i izoluar nga një lakuriq nate Rhinolophus affinis, është 96% identik në përgjithësi me SARS-CoV-2, por ndryshon në proteinën lidhëse (RBD), gjë që sugjeron se ky virus nuk mund të lidhet në mënyrë efikase me ACE2 njerëzore (Fig. 1a).
Pangolinat Malajziane (Manis javanica) të importuara në mënyrë të paligjshme në provincën Guangdong përmbajnë koronaviruse të ngjashme me SARS-CoV-2.
Edhe pse virusi RaTG13 mbetet më i afërti me SARS-CoV-2 në të gjithë gjenomin, disa koronaviruse pangoline shfaqin ngjashmëri të fortë me SARS-CoV-2 në proteinën lidhëse RBD, duke përfshirë të gjashtë mbetjet kryesore RBD (Fig. 1). Kjo gjë tregon qartë se proteina e kurorës së SARS-CoV-2 e optimizuar për t’u lidhur me ACE2 të ngjashëm me atë të njerëzve është rezultat i seleksionimit natyror.
As betakoronaviruset e lakuriqëve të natës dhe as betakoronaviruset pangolin të ekzaminuar deri më tani nuk kanë ngjashmëri me zonën S1-S2 polibazike të SARS-CoV-2. Megjithëse nuk është identifikuar ndonjë koronavirus i kafshëve që është paraardhës i drejtpërdrejtë i SARS-CoV-2 (COVID-19), shumëllojshmëria e koronaviruseve në lakuriqë dhe specie të tjera është vlerësuar masivisht.
Mutacionet, insercionet dhe fshirjet gjenetike mund të ndodhin pranë zonës S1-S2 të koronaviruseve, gjë që tregon se kjo zonë mund të lindë nga një proces natyror përshtatjeje.
Që një virus pararendës të përvetësojë si vendin e ndarjes S1-S2, gjithashtu edhe mutacionet në proteinën e mbështjellës të përshtatshme për t’u lidhur me receptorin ACE2 njerëzor, një grup kafshësh bujtare do të duhet të ketë një densitet të lartë të popullsisë (për të lejuar që seleksionimi natyror të vazhdojë në mënyrë efikase) dhe një zonë gjenetike për ACE2 që është e ngjashme me atë njerëzore.
Autorët theksojnë gjithashtu se është e mundur që një paraardhës i SARS-CoV-2 te njerëzit, të ketë përvetësuar tiparet gjenomike të përshkruara më lart përmes përshtatjes gjatë transmetimit nga njeriu në njeri.
Pasi të jenë fituar, këto përshtatje do t’i mundësonin virusit të infektonte një grup të madh rastesh për të çuar deri në katë nivel pandemie.
Të gjitha gjenomat SARS-CoV-2 të sekuencuara deri më tani kanë veçoritë gjenomike të përshkruara më lart dhe rrjedhimisht rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët që i kishte ato gjithashtu, transmeton abcnews.al.
Prania në pangolina të një zone RBD shumë të ngjashme me atë të SARS-CoV-2 do të thotë se mund të konstatohet se kjo ishte ndoshta edhe në virusin që u transmetua tek njerëzit. Kjo çon në mendimin se përshtatja e zonës S1-S2 të ketë ndodhur gjatë transmetimit nga njeriu te njeriu.
Kërkimet themelore që përfshijnë kalimin e koronaviruseve të ngjashme me SARS-CoV në kulturën qelizore dhe/ose më pas në kafshë kanë ekzistuar për shumë vite në laboratorët e nivelit të biosigurisë 2 në të gjithë botën, dhe ka raste të dokumentuara të incidenteve laboratorike të virust paraardhës SARS-CoV. Prandaj, duhet të shqyrtohet dhe mundësia e një lëshimi të paqëllimshëm laboratorik të SARS-CoV-2 (COVID-19). Teorikisht, është e mundur që SARS-CoV-2 të fitojë mutacione në zonën lidhëse RBD (Fig. 1a) gjatë përshtatjes në kalimin në kulturat qelizore, siç është vërejtur në studimet e SARS-CoV.
Sidoqoftë, gjetja e koronavirusëve të ngjashëm me SARS-CoV-2 nga pangolinat me RBDs pothuajse identike, ofron një shpjegim shumë më të fortë dhe më domethënës se si SARS-CoV- 2 mund ti ketë fituar këto përmes rekombinimit ose mutacionit.
Përvetësimi i të dy zonave me anë të mutacioneve ose përshtatjes argumenton kundër skenarëve të bazuar në manipulimin laboratorik.
Për më tepër, një hipotezë se SARS-CoV-2 e ka origjinën nga kulturat e manipuluara qelizore ose kafshëve laboratorike do të kërkonte izolimin paraprak të një virusi paraardhës me ngjashmëri gjenetike shumë të lartë, i cili nuk është gjetur akoma.
Gjenerimi i mëvonshëm i një vendi S1-S2 do të kërkonte atëherë kalim të përsëritur në kultura qelizore ose kafshë laboratorike me receptorë ACE2 të ngjashëm me ato të njerëzve, por një punë e tillë gjithashtu nuk është përshkruar më parë.
Në fund të fundit, gjenerimi i një zone me afinitet të lartë lidhës nuk ka të ngjarë të ketë ndodhur në kultura qelizore, pasi metodika të tilla kërkojnë përfshirjen e sistemit imunitar.
Autorët kanë arritur në përfundimin se megjithëse dëshmitë tregojnë se SARS-CoV-2 nuk është një virus i manipuluar me qëllim, aktualisht është e pamundur të provosh ose kundërshtosh me siguri të plotë teoritë e tjera të origjinës së tij të përshkruara.
Ata mendojnë se, duke qenë se kemi vërejtur të gjitha tiparet e dukshme të SARS-CoV-2 ose i njohur si COVID-19, duke përfshirë edhe zonën lidhëse RBD dhe ndarjen S1-S2 në koronaviruset e tjera të lidhura me këtë virus, nuk besojmë se çdo lloj skenari i bazuar në përpunim të qëllimtë laboratorik është i besueshëm.
Figure 1. Karakteristikat e proteinës së kurorës në SARS-CoV-2 (COVID-19) të njeriut dhe koronaviruseve të përafërta.