Ardit Gjebrea i bashkohet kryebashkiakut Veliaj, mbjellin pemë në Parkun e Farkës

schedule15:13 - 18 Shkurt, 2018

schedule 15:13 - 18 Shkurt, 2018

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sula dhe prezantuesi, Ardit Gjebrea, ishin të radhës për të lënë shenjën e tyre duke mbjellë pemë sëbashku me kreun e Bashkisë Erion Veliaj. Nga parku i Farkës, pjesë e Pyllit Orbital të financuar nga italianët, Erion Veliaj foli shembuj të mirë.

Erion Veliaj: “Më vjen mirë që falë këtij shembulli, edhe shumë të tjerë, ata që të ndjekin, apo shumë prej qytetarëve që kërkojnë mesazhe pozitive, do na bashkohen me këtë nismë”.

Për Ardit Gjebrean qytetarët nuk duhet vetëm të konstatojnë, por edhe të kontribuojnë.

Ardit Gjebrea: “Sa herë që kam udhëtuar me makinë për në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, po ta keni vënë re, gjithmonë është si e prerë me thikë: Pjesa jonë është pa pemë, pjesa e tyre është me pemë dhe ti ndjen një keqardhje e thua: Çfarë ka ndodhur? Por, gjithmonë e kam parë, e kam konstatuar, por asnjëherë nuk e kisha marrë lopatën për të dhënë një kontribut. Pra, nuk duhet vetëm të themi: Pse ne kështu? Por, merr lopatën dhe bëje”.

Për kreun e AMA, eksperienca e mbjelljes së pemës me qytetarin e parë të tiranës solli vendosmërinë për të kontribuuar në vazhdimësi nga buxheti i alokuar për këtë institucion nga paratë publike.

Gentian Sula: “Është nga aktivitetet më të bukura ku marrim pjesë. Mendoj që këtë çështje të mos e lëmë subjektive për zgjidhje, por vitin tjetër si Autoritet, të vëmë një fond të vogël në buxhetin e AMA-s vetëm për këtë qëllim”.

Veliaj apeloi që ky shembull i qytetarisë, të ndiqet edhe nga institucionet e tjera, duke lënë në këtë mënyrë një shenjë në krijimin e një ambienti të shëndetshëm./abcnews.al