Kosova ndjek shembullin e Shqipërisë dhe të pothuajse të gjithave shteteve të Europës. IPKO Superliga e Kosovës është pezulluar pa afat dhe Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me njoftim. Kjo gjë ndodhi pasi ditën e sotme u konfirmuan edhe rastet e para me Coronavirus.
Fillimisht ishte menduar që ndeshjet në kampionatin dardan të luheshin pa tifozë, por vendimi ka ndryshuar dhe tashmë klubet e IPKO Superliga do të duhet të presin një vendim të dytë për vazhdimin e kampionatit.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin dhe klubet anëtare të saj se, në bazë të vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës, pezullohet kampionati i futbollit në të gjitha kategoritë në afat të pacaktuar deri në një vendim të ri.
Ky vendim vjen pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në vendin tonë dhe si masë për parandalimin e përhapjes së këtij virusi. FFK fton futbollistët, punëtorët sportivë dhe qytetarët në përgjithësi që të qëndrojnë të qetë dhe ta luftojmë së bashku këtë pandemi pa panik por me kujdes të shtuar”, shkruhet në njoftimin e FFK. /abcnews.al

