Ilir Allkja, mjek në Urgjencën e QSUT ka njoftuar përmes një videoje në Facebook se është futur vetë në karantinë pasi konstatoi se kishte vizituar tre pacientë që rezultuan më pas pozitivë me koronavirus.
Mjeku thotë në video se janë dërguar pa veshjet speciale për të vizituar tre pacientë dhe rrjedhimisht dyshon se është infektuar edhe vetë.
Ndër të tjera ai thotë se mjekët po dërgohen në raste të dyshimta pa veshjet speciale dhe kjo ka gjasë të çojë në kolaps të Sistemit Shëndetësor nëse nuk merren masa.
“Më dëshpërim kam konstatuar se njësia e Koordonimit të Urgjencave na dërgojnë pa veshjet speciale në raste që na i paraqesin dhe neurologjike apo gastroentorologjike, por kemi konstatuar se janë raste me koronavirus. Kemi shkuar atje me maske kirurgjike ndërkohë që duhej të shkonim me veshje të posaçme. Kam një thirrje për kolegët e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore dhe drejtorin Skëndër Brataj: Kërkoni dhe pyesni nëse pacientët kanë temperaturë dhe simptoma të koronavirus. Ju lutem na nisni me veshje speciale për çdo rast të dyshuar”, shprehet mjeku.
Vetëm 24 orë më parë, Allkja kishte postuar në Facebook foto ku dukej me veshjen speciale. Ndërkohë, në një postim tjetër ai shkruan se “me sakrificat e mjekëve për të shpëtuar jetë do të krenohen drejtorët dhe eprorët”.