Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Liverpool. Simeone dhe Atletico e tij e fituan takimin e parë në Spanjë me rezultatin 1-0, por u kritikuan shumë për mënyrën e lojës si luajtën.
Në Anfield Road, “Colchoneros” i pret një sfidë tepër e vështirë, por Simeone është i bindur në kualifikimin e skuadrës së tij. “Nuk kam qenë asnjëherë në Anfield, as si lojtar, e as si trajner. Nuk do të futemi në fushë për të luajtur, por për të luftuar.
Do të kemi dhe ne avantazhet tona, Liverpool do të ndjekë golin. Normalisht që e kam gati dhe një plan B. Koronavirus? Nuk mendoj se është e drejtë të komentoj në këtë moment. Kemi sfidën ndaj Liverpoolit dhe jam shumë i lumtur që do të luajmë me tifozë. Sa i takon La Liga-s, do të analizojmë gjithçka kur të kthehemi. Morata? Është në dyshim, nuk e di. Gjithçka do të vendoset nesër. Pas tetë vitesh, normalisht që kemi një fizionomi loje. Dimë si të luajmë, kritikat të vazhdojnë”, tha mes të tjerash Simeone./abcnews.al