Ministrja e arsimit Besa Shahini në një dalje për mediat tha se mësimi do të zhvillohet nga shtëpia përmes videove dhe leksioneve të cilat do të jepen online.
Më tej Shahini tha se është e vështirë që të mund të zëvendësojmë orët e humbura që ka shkaktuar tërmeti dhe tashmë edhe situata me Koronavirusin.
Shahini theksoi se mësimi është pezulluar deri në 23 mars dhe rifillimi i procesit varet nga ecuria që do të raportohet nga task-forca e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Arsyeja e pezullimit të mësimit është parandalimi i përhapjes së virusit Covid-19. Masa është parandaluese dhe frenuese, nuk ka asnjë nevojë për panik, po tregohemi shumë të kujdesshëm që të kufizojmë sa më shumë përhapjen e koronavirusit. Mbani mend që fëmijët janë më pak të rrezikuar por janë bartës.
Kërkoj nga të gjithët vetëpërmbahen të marrin masa shumë të thjeshta, mbajtja e distancës sociale, ajo që dimë është se virusi përhapet përmes kontaktit dhe jo ajrit. Të evitojmë ambientet që kemi grumbullim të njerëzve, është mirë të evitohen kafenetë dhe çdo vendtakimi tjetër për dy javët e ardhshme, shqetësimi ynë është humbja e mësimit duke i bashkangjitur edhe orët e mësimit që janë humbura për shkak të tërmetit.
Kam frikë se nuk do arrijmë ti zëvendësojmë të gjithë orët e humbura.
Jemi duke bërë një plan që drejtorët e shkollave të japin instruksionet e tyre që fëmijët të punojnë nga shtëpia. Nxënësit së bashku me prindërit do të komunikojnë rregullisht nëpërmjet rrjeteve sociale që të orientojnë fëmijët që të punojnë nga shtëpia.
Materiale të disponueshme për nxënësit dhe mësuesit, siç janë librat me pyetje për maturantët, librat e mësuesve, leksione të ndryshme virtuale do të ndahen çdo ditë nëpër rrjete sociale me drejtorët e shkollave të cilët më pas do i transmetojnë mësuesve dhe më tej prindërve.
Një formë e punës që jemi duke e shqyrtuar është të bëjmë selfi-video për përgjigjet që nxënësit të marrin informacionin për pyetjet që kanë rreth mësimeve. Kjo është një nga format e shumta që po i shqyrtojmë t’iu aplikojmë që nesër.
Nesër kemi takim virtual me ministrat e arsimit në kuadër të kryesimit të OSBE nga Shqipëria ku do të ndajmë eksperiencat e shteteve tona për adresimin çështjeve që lidhen me një proces sa më të rregullt arsimor në këtë fazë që nuk është e mundur frekuentimi i shkollave.
Si vend i prekur pas dy muajve kemi patur mundësi që të informohemi rregullisht për numri e rasteve të infektuara, në vijimësi do të vendosim edhe pas datës 23 mars. Do të postojmë përmes rrjeteve sociale çdo lloj informacioni.
Shkollat do të jenë deri në 23 mars, mësuesit do të vazhdojnë të punojnë nga shkolla apo nga shtëpia dhe do të krijojnë klasat virtuale, komunikimi mes nxënësve bëhet përmes prindërve të tyre, udhëzimin për mësuesit se çfarë do bëjnë këto 2 javë do tju informojmë së shpejti. Vëmendje të kujdesit personal, larja e duarve dhe me kohëgjatësi më të madhe, evitoni ambientet me shumë njerëz, ju kujtojmë se në rast të simptomave të telefononi nr 127″, theksoi Shahini.
Ministrja Shahini më tej iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me dezinfektimin e shkollave.
“Besoj që jemi në komunikim të vazhdueshëm me bashkitë për të vijuar me dezinfektimin e shkollave deri në 23 mars apo përtej kësaj date. Ndërsa për maturat shtetërore, datat e provimeve deri tani nuk ka një vendim për shtyrje“, deklaroi Ministrja./abcnews.al