Tensione mes drejtuesve të Universitetit të Tiranës

schedule17:18 - 15 Shkurt, 2018

schedule 17:18 - 15 Shkurt, 2018

Kriza në Universitetin e Tiranës po nxjerr në pah tensionet e brendshme mes vetë drejtuesve. Kështu Rektori i Universitetit, Mynyr Koni, i kërkon Prokurorisë të hetojë punën e paraardhësit. Ndërsa ish-rektori, Dhori Kule, sëbashku me tre dekane kërkojnë shkarkimin e rektorit Koni. Ndërsa një grup pedagogësh paralajmërojnë grevë, nëse kryeministri nuk negocion për të zgjidhur krizën në universitet.

Një ditë pas takimit me kryeministrin, Edi Rama, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, kërkon zhbllokim të situatës dhe nisje të hetimeve në institucionin e arsimit të lartë.

Rektori i bën apel kryeprokurores t’i shtrijë hetimet në këtë universitet që nga viti 2008.
Bllokimi i punës në universitet për rektorin është i qëllimshëm dhe për këtë, Koni akuzon stafin e ngushtë të parardhësit të tij, Dhori Kule.
Pas rreth tre orësh, Kule dhe tre dekanë të tjerë deklaruan se rektori ka ndërhyrë në kompetencën e bordit dhe administratorit.
Përmes një letre, ato i kërkojnë ministres së Arsimit të fillojë procedurat për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës.

“Rektori Koni është përpjekur të kryejë në mënyrë të paligjshme funksione administrative. Një situatë shqetësuese firmos kontrata tenderash, gjë që ja kemi bërë prezent që nuk janë tuajat. Këtë prezencë e ka verifikuar edhe organet përkatëse. Ministria e Financave nuk ka aktet dhe kontratat që ai ka fimosur sepse janë të paligjshme me firmën e tij. Pra është futur në kompetenca të të tjerëve. Këtë situatë nuk e kemi bërë publike sepse kemi parë interesat e universitetit”.

Përplasjet mes rektorit dhe dekaneve, sipas pedagogëve të Forumit për Liri Akademike, vijnë pikërisht prej ligjit për arsimin e lartë.

Ndryshimi apo zbatimi i tij ndan në qëndrime akademikët.

Rektori dhe stafet akademike deklarojnë që ligji iu jep autonomi të kushtëzuar universiteteve, ndërsa dekanet presin vënien në zbatim të tij./abcnews.al