Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

48 Orë për të treguar të vërtetën e Shqipërisë! Kur kinemaja filmon realitetin…

schedule13:32 - 12 Nëntor, 2026

schedule 13:32 - 12 Nëntor, 2026

A mund të tregosh Shqipërinë e sotme përmes një filmi që duhet ta krijosh brenda vetëm 48 orëve? Zemërimi, protestat, përplasjet politike, zhgënjimi, frika, por edhe shpresa për ndryshim, mund të kthehen në histori kinematografike brenda një fundjave. Më 13 nëntor nis edicioni i 17-të i “Tirana 48 Orëshi”, sfida që prej 17 vitesh bashkon kineastë, regjisorë, skenaristë, aktorë dhe krijues të rinj, duke i vënë përballë një prove të pazakontë: të realizojnë një film të shkurtër nga ideja te montazhi, brenda 48 orëve.

Por këtë herë, frymëzimi vjen nga një realitet shqiptar i trazuar. Çfarë do të zgjidhnin kineastët të tregonin përmes kamerës? A do të ishte një film proteste, një histori absurdi, një dramë njerëzore apo një satirë për politikën shqiptare? Kompeticioni funksionon me rregulla të veçanta: në mbrëmjen e së premtes, ekipet tërheqin me short zhanrin dhe elementet e detyrueshme që duhet të përfshijnë në film. Që nga ai moment nis gara kundër kohës. Shkrimi i skenarit, xhirimet, aktrimi dhe montazhi duhet të përfundojnë deri të dielën në mbrëmje.

Pa javë përgatitjeje, pa mundësi për ta shtyrë afatin dhe pa luksin e perfeksionit. Vetëm 48 orë për të kthyer një ide në film! Më pas, publiku sheh krijimet në premierë, ndërsa një juri vendase vlerëson interpretimet, regjinë dhe realizimin, duke shpallur fituesit e edicionit.



Por gara nuk përfundon në Tiranë. Filmi më i mirë fiton mundësinë të përfaqësojë qytetin në festivalin ndërkombëtar Filmapalooza, ndërsa krijime të përzgjedhura vijojnë rrugëtimin edhe në “Short Film Corner” të Festivalit të Filmit në Kanë.

17 vite histori, qindra ide dhe një sfidë që rikthehet çdo vit me të njëjtën pyetje: nëse do të kishit vetëm 48 orë për të treguar Shqipërinë, çfarë do të filmonit? Robert Aliaj, ideuesi, themeluesi dhe organizatori i “Tirana 48 Orëshi”, sjell prapaskenat e kësaj gare ku koha është armiku më i madh, ndërsa imagjinata arma më e fortë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!