Superiorja zbret në fushë sot dhe prej orës 14:00 luhet takimi i parë, mes Luftëtarit dhe Bylisit. Ballshiotët janë të dënuar të fitojnë, edhe pse luajnë në transfertë. Pas humbjes në Laç kjo është autokritika e duhur për skuadrën e drejtuar nga Veljko Dovedan, që për këtë vit ende nuk e ka provuar shijen e fitores në kampionat.
E dënuar është edhe Teuta, që përballet në stadiumin “Niko Dovana” me Flamurtarin e vendit të fundit. Në Durrës janë djegur një herë me Luftëtarin dhe e kanë vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje dhe do tentojnë ta kalojnë me sukses. Kjo fitore është shumë e rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga Edi Martini.
Padyshim sfida më interesante sot luhet në “Air Albania Stadium”, aty ku Tirana kryesuese e kampionatit do kërkojë triumfin e radhës. Përballë do të ketë Laçin e vendit të tretë, që ka disa mungesa të rëndësishme. Gjithsesi nuk ka vend aspak për nënvlerësim dhe trajneri Emanuel Egbo e tha qartë dje në konferencë për shtyp. /abcnews.al