Marku tek Krimet: Përshpejtoni hetimet

schedule15:33 - 14 Shkurt, 2018

schedule 15:33 - 14 Shkurt, 2018

Energji të reja dhe përshpejtim të hetimit të të gjitha çështjeve. Ky ka qenë thelbi i fjalës së prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, para prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe të Apelit. Kryeprokurorja nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së prokurorëve, por kërkoi të mos kalohet në anarki.

Mbajtja e analizës vjetore të Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe të Apelit u lajmërua për mediat nga Prokuroria e Përgjithshme.
Por të parët që shkuan në institucion ishin prokurori shqiptaro – amerikan që asiston prokurorët e Krimeve, Gjon Junçaj dhe kreu i Policisë së shtetit, Ardi Veliu.

Pas mbërritjes së kryeprokurores nisi edhe analiza, që u zhvillua me dyer të mbyllura për median.

Duke iu referuar dosjeve të bujshme që kanë në dorë prokurorët e Krimeve, Marku kërkoi energji të reja për të ngritur më shumë nivelin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me agjencitë e zbatimit të ligjit brenda vendit dhe veçanërisht me partnerët ndërkombëtarë. Më tej, kryeprokurorja ka kërkuar hetime të shpejta për çdo dosje.

“Prokuroria e Përgjithshme nxit dhe mbështet përshpejtimin e hetimeve të të gjitha çështjeve nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Kjo, pa e cenuar aspak cilësinë e hetimeve, por për shkak të ndjeshmërisë së lartë publike që kanë çështjet që hetohen prej jush. Prandaj, kërkohet kjo shpejtësi në plotësimin dhe standardizimin e protokolleve hetimorë”.

Pasi kujtoi të drejtën legjitime të pavarësisë së prokurorëve, Marku kërkoi të mos abuzohej me këtë të drejtë.

“Pavarësia e prokurorëve mbetet e pacënuar, si një e drejtë e njohur nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale. Por, kjo nuk do të thotë që të kalohet në anarki, përveçse kërkohet vëmendje dhe përkushtim maksimal në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykatë”.

Analiza e vjetore e Krimeve të Rënda erdhi pas mbajtjes së analizave në disa prej prokuroritë e rretheve gjyqësore, në të cilat ka qenë e pranishme edhe kryeprokurorja Marku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!