Në kuadër të një komunikimi të ri të mesazheve publike, Lulzim Basha shkoi vetë tek studentët për të diskutuar mbi problematikat e arsimit të lartë. Në oborrin e Politeknikut, Basha përsëriti edhe njëherë premtimin për anulimin e ligjit për arsimin e lartë dhe premtoi rritje të praktikave mësimore gjatë qeverisjes së djathtë.
“Ndryshimi i ligjit për Arsimin e Lartë sepse mund të rrisësh finacimin, por nëse gjithçka kontrollohet me dorë të hekurt nuk jemi askund. Duhet të fitohet autonomia e universiteteve”, tha Basha.
Të rinjtë folën për tarifa të larta dhe pamundësinë që shumë të rinj kanë për të ndjekur studimet e larta.
“Problemet filljonë nga tarifat, kushtet që kemi. Literaturat që përdorim sot në shkollë”, u shpreh studentja.
Basha foli për një plan me trepika të demokratëve.
“Asnjë fëmijë shqiptari nuk duhet të privohet nga arsimi. Tregu i punës kur mbaron arsim është problem, futesh me mik si në sektorin publik tani edhe në atë privat dhe kjo është vdekje e ekonomisë”, tha Basha.
Partia Demokratike ka premtuar se do të anulojë ligjin e arsimit të lartë, ndërkohë që është duke punuar me ekspertët e saj për një ligj të ri për arsimin e lartë. /abcnews.al