Mançester Siti shpreson për të fituar Championsi-n

schedule15:54 - 13 Shkurt, 2018

schedule 15:54 - 13 Shkurt, 2018

Mançester Siti ka skuadrën më të shtrenjë të futbollit në botë. Anglezët shpresojnë që këtë dominim ta kenë edhe në fushën e lojës dhe ta fitojnë më në fund Ligën e Kampionëve

Forma është e mrekullueshme.

Mançester Siti po fluturon me të gjithë kuptimin e kësaj fjale në Premier Ligën, ndërsa skuadra angleze shpreson shumë që ky nivel ta ndihmojë në turneun që deri tani ka qenë i mallkuar për të.

A do të arrijë kryesuesja e kampionatit anglez të shkëlqejë po kaq në Europë, me pengesën e parë që është Bazeli zviceran? Besimi i tifozëve është i madh që me yje të tillë si Aguero, De Brujn, Sane, Fernandinjo apo Bernardo Silva, si dhe me trajnerin ekspert në stol, Pep Guardiola, do të mbërrijë dita e madhe.

Kapiteni me shumë përvojë, Vinsent Kompani, ka provuar zhgënjime për vite me radhë, dhe mos ndoshta është krijuar një kompleks inferioriteti?

Vinsent Kompani: “Nuk do ta quaja kompleks inferioriteti, por padyshim mungesë përvoje. Ky ka qenë faktori kryesor që na ka penguar për disa vjet me radhë, kur mund të kishim dalë më mirë. Veçse, tani kohët kanë ndryshuar. Kohët e fundit, skuadra është forcuar shumë, ka më shumë lojtarë dhe më shumë përvojë, ndaj ndihemi si në shtëpinë tonë në Champions. Ne duam të shkatërrojmë hegjemoninë e Barcelonës, Bajernit apo Realit. Kemi besim se do ta fitojmë këtë trofe, në mos këtë vit, vitin e ardhshëm apo një herë tjetër”.

Guardiola e ka fituar Championsin dy herë me Barcelonën. Trajnerin katalanas e pyetën nëse Mançester Siti mund ta fitojë gjithashtu, këtë sezon?

Pep Guardiola: “Unë nuk e di, me të vërtetë që nuk e di. Nuk mund ta dish nëse je gati apo jo. Padyshim që unë kam besim të plotë tek futbollistët e mi, por ky kompeticion është i veçantë. Mendoj se objektivi ynë është të paraqitemi më mirë sesa vjet, pra të dalim në çerekfinale. Në çdo ndeshje ne duam që të imponojmë lojën tonë dhe këtë do të përpiqemi të bëjmë sërish, por Championsi është krejtësisht i veçantë në krahasim me Premier Ligën, pasi disa nga kundërshtarët janë më të fortë. Po ashtu, janë vetëm dy ndeshje me eleminim, pra çdo gabim ndëshkohet”.

Siti u paraqit shkëlqyeshëm në fazën e grupeve, ndërsa rekordmeni i golave, Kun Aguero, e ka zëvendësuar më së miri sulmuesin e dëmtuar brazilian, Gabriel Zhezus.

Anglezët kanë skuadrën më të shtrenjtë në botë, me vlerë afërsisht 900 milionë euro dhe duan që këtë dominim financiar, ta kenë edhe në fushë.

Përballë tyre do të jetë Bazeli, në radhët e të cilit luan lojtari i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, por edhe sulmuesi shqiptar, Albian Ajeti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!