Shehi: Ky Kukës, për titull! Ne ish-portierët e analizojmë më mirë lojën

schedule08:05 - 2 Mars, 2020

schedule 08:05 - 2 Mars, 2020

Orges Shehi ka pranuar ofertën e Kukësit, sigurisht me kushtet e presidentit Safet Gjici që kërkon titullin kampion. Durrsaku mori avionin dje dhe në mbrëmje ishte në Shqipëri, kurse sot prej orës 11:00 do të dalë në konferencë për shtyp së bashku me drejtorin sportiv, Nderim Nexhipi.

Në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport, ai foli për ofertën e marrë: “Patjetër që është vlerësim. Do të bëj maksimumin. Jam i kënaqur dhe i lumtur që do të drejtoj futbollistë me aq cilësi. E pres me entuziazëm për të arritur ato objektiva që klubi ka. Jam kontaktuar sot, rreth orës 12, 12 e pak”, tregon Shehi.

Ish-trajneri i Skënderbeut është i bindur në cilësitë e Kukësit dhe mendon se mund të dalin kampionë. “Jam i bindur që Kukësi i ka cilësitë për të dalë kampion. E njoh skuadrën dhe kam besim se do t’ia dalim. Të shohësh gjërat nga jashtë nuk është njësoj si të jesh brenda.

Me disa prej futbollistëve të Kukësit edhe kam luajtur. I vlerësoj sepse kanë karakter sportiv. Kukësi nuk ka patur dhe fatin me vete. Nuk ka siguruar pikët që duhej të merrte. Është ndëshkuar në 3 ndeshjet e fundit në minutat e fundit”.

Shehi nuk projekton lëvizje të mëdha: “Nuk mendoj se Kukësi ka nevojë për kthesë dhe ndryshim të madh. Gjithmonë këto vite është renditur ndër vendet e para në kampionat”.

Në krye të kampionatit është Tirana, që si trajner ka një ish-portier. Edhe Shehi më parë ka mbrojtur katërkëndëshin dhe komenton se çfarë i favorizon ata në momentin që nisin karrierën e trajnerit.

“Unë mendoj që pjesa mbrapa dhe portierët kanë një favor kur e nisin karrierën e trajnerit sepse e shohin lojën nga mbrapa dhe analizojnë më mirë”, përfundoi Shehi deklaratën e tij. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!