Kryeministri Edi Rama një ditë pas miratimit të statutit të ri të Partisë Socialiste, ku tërhoqi vëmendjen për ruajtjen e balancës gjinore në postet drejtuese këtë ka bërë dhe këtë të diëlë në fjalën e tij para Forumit Rinor të Partisë Socialiste
Shefi i qeverisë është shprehur se është e rëndësishme që FRESH-i duhet të hapet për t’i dhënë mundësi vajzave të marrin poste drejtuese, duke theksuar se organizata ka rëndësi që tashmë të drejtohet nga një djalë dhe një vajzë.
“ Besoj se çuarja përpara e organizatës së të rinjve duhet të lidhet me transformimin e organizatës. FRESH nuk mund të jetë më ai që ishte në këto katër vite sepse teknologjia e ka transformuar raportin e personit me realitetin duke të bërë të jesh në të njëjtën kohë objekt i bombardimit të informacionit nga e gjithë bota. FRESH nuk do të vazhdojë atë avaz mblidhu, zgjidhu. Teknologjia për ne, PS dhe vajzat e djemtë e PS është instrument përmes të cilit kemi shumë për të thënë. Transformimi i rrugëve të komunikimit duhet të prekë edhe FRESH. Ky i fundit ka pasur një problem, atë të mbylljes, atë për t’u zgjedhur pa kompeticion që organizata të shkojë më tutje. Risia që ne kemi futur në PS me burra, djem, gra dhe vajza është gjëja e duhur për tu bërë me FRESH-in. FRESH-i nuk ka pse të të drejtohet nga një djalë, por duhet të drejtohet nga një djalë dhe një vajzë. Të gjithë djemtë me mend janë shumë pak pa vajzat. Duhet t’i japim mundësinë vajzave që kanë shumë më pak kohë për të humbur për të treguar se kush jam unë e kush je ti dhe kanë shumë më pak kohë për të krijuat klane dhe përçarje, të cilat djemtë i kanë prirje. Vajzat janë më të mira se djemtë edhe në shkollë. Në provimet e Pizës, ku Shqipëria merr pjesë,vajzat me provimin e fundit janë një vit përpara me lexim. Nëse Piza do kishte një provim për shkurtimet në biseda djemtë do ishin përpara, por në lexim vajzat janë një vit përpara. E kuptoni sa të lodhur jeni. Pranojeni, hapuni dhe lërjani vajzave punët që nuk dini të bëni dhe mësoni si bëhen punët”, tha Rama.
Në ditën e tretë të kongresit të PS-së Rama është shprehur se është e rëndësishme që të shikohet hapësira që PS-ja i jep secilit për të ngritur zërin për atë që mendon se është e padrejtë. Ai theksoi se e njëjta gjë ndodhi kur ishte protesta e studentëve ku anëtarë të FRESH ishin në rrugë, ndërsa një gjë e tillë sipas tij nëse do të ishte Saliu kryeministër nuk do të ndodhte.
“Ajo që është më e rëndësishme është se kur studentët dolën në protestë anëtarët e FRESH ishin në protestë. Elido bashkë me disa të tjerë ishin në protestë. Kjo është ër të kuptuar se sa e hapur është PS-ja për të pranuar qëndrime të ndryshme. Imagjinoni ju Saliun kryeministror dhe FRPD në protestë për ministrinë e Arsimit, vetëm imagjinojeni dhe pse nuk do të ndodhte dot”, është shprehur Rama.
Në sheshin “Nënë Tereza”, Rama tha se mjafton të dëgjosh këtë që keni mbrapa ju për të kuptuar se deri ku shkon në Shqipëri liria për t’ia futur kot dhe askush nuk të thotë gjë.
“Nuk është debati Beslidhja dhe Beslikja, që ka marrë vëmendje. Kush është me Beslidhjen, kush është me Besliken, pa kuptim, humbje kohe, degradim i madh dhe goditje e shpresës se në këtë vend mund të jetohet normalisht dhe se ky vend nuk është peng i atyre që shfaqen në TV sikur janë ata dhe pas tyre s’ka gjë tjetër. Mjafton të dëgjosh këtë që keni mbrapa, për të kuptuar deri ku shkon çmenduria. Mjafton të hapësh TV dhe larg qoftë të shohësh ndonjë debat, për të parë deri ku shkon gjuha dhe çfarë lirie për të shthurur gjuhën kanë njerëzit këtu. Por kjo nuk është liri demokratike e jetës, pasi këtë e përcakton fakti sa dëgjohesh dhe sa ndërveprim ka”, tha Rama./abcnews.al


