Nesër në mbrëmje Spanja dhe jo vetëm do t’i ketë sytë në Madrid, ku pritet të zhvillohet klasikja mes Real Madrid dhe Barcelonës. Të dy ekipet i ndajnë vetëm dy pikë dhe ndeshja e nesërme mund të jetë vendimtare për titullin kampion. Në prag të përballjes ka folur dhe kapiteni madrilen, Sergio Ramos, i cili vlerëson kundërshtarin si dhe shpreson që Leo Messi të mos jetë në ditën e tij më të mirë.
“Ne do të futemi në fushë vetëm për fitore. Që në fillim të takimit duhet të bëjmë presion lart për të mos i lënë që të luajnë lojën e tyre. Ata kanë disa lojtarë shumë të mirë, të cilët mund të jenë lojtarët që do të vendosin takimin. Duhet të tregohemi të kujdesshëm. Jemi shumë pranë në renditje dhe rezultati i nesërm mund dhe të vendos fatet e sezonit”, deklaron 33-vjeçari.
“Messi? Kam shumë respekt për të. Mendoj se ai është një nga futbollistët më të mirë që historia e këtij sporti ka pasur. Shpresoj që të dielën të mos jetë dita e Leos, në mënyrë që ne të bëjmë punën tonë dhe të marrim rezultatin që kërkojmë. I uroj atij më të mirat dhe e ripërsëris se ai është një nga më të mirët”, mbyll spanjolli duke u treguar diplomat me rivalin e tij. /abcnews.al