Rusi/ Kamera e sigurisë regjistron momentin e rrëzimit të avionit

schedule14:28 - 12 Shkurt, 2018

schedule 14:28 - 12 Shkurt, 2018

Momenti tragjik i rrëzimit të avionit me 71 persona në bord në Rusi, është kapur nga kamerat e sigurisë. Aktualisht janë gjetur dy kutitë e zeza, ndërsa autoritetet po hetojnë për dyshimet se mjeti fluturues mund të jetë rrëzuar, për shkak të ndonjë problemi teknik, gabimit njerëzor dhe kushteve të këqija të motit.

Momenti i rrëzimit vdekjeprurës i një avioni pasagjerësh në rajonin e Moskës në Rusi, në të cilin humbën jetën 71 persona të dielën, është kapur nga një kamera sigurie e instaluar në një shtëpi private në afërsi të vendit të përplasjes. Pamjet filmike tregojnë momentet e fundit të mjetit fluturues të kompanisë “Saratov Airlines”, i cili shpërthen pasi prek tokën.

Në momentin e përplasjes ora shënon 14:27, me orën lokale të Moskës. Avioni “Antonov An-148” u nis nga aeroporti Domodedovo në 14:21 me 65 pasagjerë në bord dhe 6 anëtarët e bordit, dhe po drejtohej për në Orsk në afërsi të kufirit mes Rusisë dhe Kazakistanit. Ai u zhduk nga radarës disa minuta pasi u ngrit në ajër. Pas rrëzimit në qiell është parë një re e madhe tymi të zi.

Autoritetet po hetojnë për të zbuluar shkaqet e kësaj tragjedie, ndërsa po merret në konsideratë keqfunksionimi teknik, kushtet e këqija të motit dhe gabim i mundshëm i pilotëve. Një dëshmitar tha për mediat ndërkombëtare se ka parë një avion të kapluar nga flakët në qiell, që lë të dyshohet se një nga motorët mund të ketë shpërthyer në fluturim. “Fillimisht diçka shpërtheu poshtë krahut të avionit, i cili mori zjarr. Më pas një tjetër shpërthim u dëgjua dhe avioni ra me shumë shpejtësi në tokë”, thotë një dëshmitar. Megjithatë komiteti investigative i Rusisë njofton se pilotët nuk kanë raportuar ndonjë gabim teknik ose ndonjë problem tjetër.

Megjithatë, mësohet se janë gjetur të dy kutitë e zeza të avionit, me anë të cilave pritet të zbulohet arsyeja e rrëzimit. Ndërkohë, kompania “Saratov Airlines” ka vendosur të pezullojë fluturimet me “Antonov An-148” në pritje të rezultateve të hetimeve lidhur me shkaqet e aksidentit tragjik.

Përtej tragjedisë, ka nga ata që kanë festuar një datëlindje të dytë. Kjo është historia e çifti Maxim dhe Nazezha Kolomeytsev, të cilët duhet të ishin në avionin që u rrëzua. Ata do të udhëtonin drejt qytetit Orsk për të festuar datëlindjen e Maxim, por kanë ndërruar biletat në çastet e fundit, dhe ky vendim u ka shpëtuar jetën atyre. Historia e tyre ka bërë shumë bujë në mediat ruse dhe ato ndërkombëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!